.
Published On: Sat, Mar 1st, 2014

Nderohet vepra e Jah Salihut

Share This
Tags

konf-salihuGjakovë- Nën organizimin e kryetares së Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila, është mbajtur tryezë për veprën dhe jetën e patriotit të shquar të Malësisë së Gjakovës,  Jah Salihut, në të cilën kanë referuar veteran LANÇ -së nga Shqipëria dhe Kosova dhe akademikë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Këtë tryezë e ka hapur akademik Pajazit Nushi. Ndërsa fillimisht për veprën dhe jetën e Jah Salihut ka folur kryetarja e Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari-Lila , e cila në fjalën e saj ka thënë se “në këtë përvjetor po e kujtojmë njërin ndër ato figura që historinë e kanë shkruar me gjakun e tyre çlirimtar, jo vetëm në logun e betejës ku ka rënë Jah Salihu, por edhe në përpjekjet e vazhdueshme dhe asnjëherë të tërhequr për ideal kombëtar.

“E them këtë sepse Jah Sali Mani, emri i tij i përmendur të rikujton identifikimin me konferencën e Bunjajt, kur roli dhe kontributi jo vetëm i tij, porse i tërë familjes të kësaj konference emblematike ku nga delegatët pjesëmarrës vendoset përcaktimi për Kosovën e bashkuar me Shqipërinë”, ka thënë kryetarja Kusari-Lila.

Për veprën dhe jetën e Jah Salihut, ka folur edhe Gjenerali i LANÇ-ut Rrahman Parllaku, i cili ka shpalosur një histori të shkurtër të këtij trimi të Malësisë së Gjakovës. “Kur Jaha pas shumë aktiviteteve në tër territorin e Shqipërisë u kthye në Malësi gjeti një klimë më të përshtatshme për luftë të armatosur kundër okupatorit. Nga tetori i vitit 1943 e deri në vdekje, Jah Salihu është i palodhshëm në angazhimet e tij rreth krijimit të njësive për luftë kundër pushtuesëve gjerman, të cilët e zunë vendin e forcave italiane”, është shprehur Rrahman Parllaku.

Për trimërinë dhe figurën historike të Jah Salihut ka referuar edhe akademik Pajazit Nushi, i cili ka thanë se  burrat trima si Salihu, nuk e pyesin jetën për liri dhe vdesin për idealin e tyre lirin e popullit dhe mëvetësinë e vendit të tyre.  Kumtesat e tyre i kanë prezantuar në këtë tryezë edhe Zija Mulhagja, Vehap Shita dhe të tjerë. Në këtë tryezë ishin edhe familjar të familjes së Jah Salihut.