Sëmundja e parotitit në Gjakovë, Komoni: S’ka nevojë për panik
Gjakovë- Këto ditë edhe në komunën e Gjakovës po përflitet për përhapjen e sëmundjes së Parotitit, në popull e njohur me emrin “jazmet” apo “shytat”. Kjo u aktualizua akoma më tepër pas rasteve të shumta në komunën e Prizrenit dhe të disa rasteve të paraqitura në Spitalin e qytetit “Isa Grezda” në Gjakovë.
Mirëpo dr. Basri Komoni, drejtor i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Gjakovë, ka deklaruar se nuk ka vend për panik. Ai ka thënë se ka mbajtur një takim me përfaqësues të Institutit të Shëndetit Publik Kombëtar të Prishtinës asaj të Gjakovës.
Nga ky takim doli konstatimi se, nga hulumtimi dhe të dhënat e mbledhura si dhe në bazë të numrit të rasteve të evidentuara nga Instituti i Shëndetit Publik, rezulton se përqindja e afektimit të fëmijëve në komunën e Gjakovës është shumë e ulët, prandaj nuk ka vend për brengosje të qytetarëve.
Ndryshe, sic thonë mjekët specialist, sëmundja e parotitit mund të shfaqet e menjëhershme, që do të thotë se pacienti çohet në mëngjes me gjëndrat e pështymës të ënjtura ose mund të ndodhë që pas një gjendjeje të përgjithshme jo të mirë: dobësi, rrufë, etj., të shpërthejnë shenjat karakteristike të sëmundjes.
Këto janë ënjtje dhe zmadhim i gjëndrave të pështymës, lëkura që mbulon gjëndrën është e kuqe dhe e tendosur. Ankesa të tjera janë dhimbja e kokës, mungesë oreksi, vështirësi gjatë përtypjes dhe në të folur. Infeksioni transmetohet nëpërmjet sekrecioneve të pështymës, kjo bën që sëmundja të përhapet lehtë.
Specialistët thonë se për trajtimin e shytave, ashtu si dhe për disa sëmundje virale, nuk ka mjekim specifik. Trajtimi është simptomatik dhe trajtohen simptomat ose komplikacionet nëse shfaqen. Kështu përdoren antipiretik-qetësues të familjes së paracetamolit apo dhe medikamente antiiflamatorë. Rekomandohen ushqime të buta dhe të lëngëta, sepse pacienti shfaq probleme me gëlltitjen si pasojë e ënjtjes. Këshillohen fruta dhe perime të freskëta që forcojnë sistemin imunitar./radiogjakova/