Nderohen veteranët e arsimit gjakovarë
Gjakovë- Me organizim të Komunës së Gjakovës është shënuar 7 Marsi – Dita e Mësuesit, ku pos zyrtarëve të lartë komunal dhe veteranëve të arsimit të Komunës së Gjakovës kanë marrë pjesë edhe kryeministri dhe disa ministra të Republikës së Kosovës.
Kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari Lila, në fjalën e saj përshëndetëse dedikuar veteranëve të arsimit, u është adresuar atyre me përplot përkushtim dhe respekt. “Gjakova si vatër dhe qendër e arsimit ka për nder që në mënyrë sa më dinjitoze të shënojë ditën e bekuar , 7 Marsin – Ditën e Mësuesit. Ky nder i takon sepse ka qenë burimi i shkollave të para rreth një shekulli, përfshirë dhe atë të vajzave më pas, dhe gjithashtu ka qenë qendër me resurse humane, ato kadrovike arsimore të cilët edukimin dhe arsimmimin e tyre e shpërndanin anëkënd Kosovës”, u shpreh ajo.
Kusari-Lila tha se në këtë ditë kujtojmë emrat që i dhanë rrugën e ndritur Gjakovës dhe mbarë Kosovës, si Niman Ferizi, Baba Qazim Bakalli, Ibrahim Fehmiu, Ibrahim Kolçi, Sali Morina, Isuf Puka, Ferid Imami e shumë të tjerë të cilët që në atë kohë mësuan gjeneratë pas gjenerate gjuhën e bukur shqipe, aritmetikë, gjeometri, histori, gjeografi, fizikë si dhe lëndë të shkathtësive të tjera. “Nuk mund të harorjmë edhe kontributin e femrës shqiptare, të cilat gjithmonë kishin etje për dituri, mësim dhe shkollë. Mësueset si Domenika Ndoca, Jozefina Ndoca dhe Emine Shehdula janë treguesi më i mirë që Gjakova përpos që ishte qendër e arsimit u bë shembull edhe për të drejtën e femrës duke i dhënë mundësi asaj që të shkollohet në mënyrë të barabartë”, deklaroi kryetarja e Gjakovës.
Me një fjalë rasti ka përshëndetur edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi që duke folur për kontributin e tyre si mësimdhënës, ai ka vlerësuar rolin mësimdhënësve ndër breza, përfshirë dhe atë të sistemit paral të viteve të 90-ta të shekullit të shkuar. Ndërkaq, për kohën e pasluftës kryeministri Thaçi tha se kemi pasur edhe kontenjerë ku zhvilloheshin mësimet, ndërsa sot kushtet janë sipas standardeve europiane.
Në fund, nga Komuna e Gjakovës me mirënjohje janë nderuar mësimdhënësit veteran të komunës së Gjakovës: Hashim Binishi, Shani Hoxha, Sami Morina, Gjeljane Brovina, Bedrush Shehu, Musa Dobruna, Hydajete Dobruna, Murteza Nura, Hyda Dobruna, Masar Rizvanolli, Xhevat Koshi, Fadil Stavileci, Skender Polloshka, Besim Bokshi, Ekrem Murtezai, Pajazit Nushi, Aliriza Rraci, Ramiz Hoxha, Nanije Deva dhe Rexhep Hoxha.










