AAK: Konferenca e Donatorëve, një dështim
Gjakovë- Gjashtë muaj pritje dhe ende nuk ka donator. Kështu e ka titulluar Komunikatën e sajë për media dega e Aleancës për ardhmërinë e Kosovës në Gjakovë, përmes të cilës, premtimet e kryetares së Gjakovës Mimoza Kusari-Lila të shpalosura që në fillim të fushatës zgjedhore për ta ndryshuar Gjakovën me Konferencën e donatorëve, i quan ëndrra të pa realizuara.
Në këtë komunikatë dega e AAK-së pohon se më 13 e 14 mars qyteti i Gjakovës u mbulua me flamuj të të gjitha shteteve evropiane, e bile edhe të atyre që ende nuk e kanë njohur Kosovën dhe se në konferencën e donatorëve munguan donatorët. Pushtetit të dështuar që po e udhëheq komunën e Gjakovës, thuhet në komunikatë, i rikujtojmë se për tetë vite të qeverisjes së AAK-së me në krye dr. Pal Lekajn, kemi bërë revolucion në të gjitha sferat e jetës, duke ngritur nivelin e mirëqenies sociale, arsimore, kulturore dhe sportive, pastaj në infrastrukturë, në regjenerimin e vendeve të punës dhe mbi të gjitha respektuam qytetarët duke mos bërë dallime mes tyre.
Por, natyrisht se jemi alergjik ndaj dështimeve dhe kaosit që keni krijuar për këta tre muaj të qeverisjes së juaj. Nuk ka donacione për faktin se Gjakova nuk u godit nga Cunami, tërmetet apo nga ndonjë fatkeqësi natyrore, por për tre muaj u godit nga mashtrimi dhe arroganca, të cilën vetëm Kusari-Lila me dinakërinë e sajë din t’ua servojë qytetarëve, duke mos realizuar asnjë premtim.
Më tej në komunikatë thuhet se nga buxheti i komunës u ndanë mbi 15 mijë euro për Konferencën e donatorëve dhe nga kjo Konferencë Gjakova nuk fitojë asnjë cent. Pas mos realizimit të shumë premtimeve, pati dështim total edhe Konferenca e donatorëve, e kjo është formula më e dobët që ka pasur ndonjë herë në krye komuna e Gjakovës, thuhet në mes tjerash në Komunikatën e degës së AAK-së në Gjakovë drejtuar medieve.