.
Published On: Mon, Mar 17th, 2014

Mbahet takimi i rregullt i qeverisë lokale

Share This
Tags

mimoza-drejtoratGjakovë- Është mbajtur mbledhja e Bordit të Drejtorëve të Komunës së Gjakovës. Më poshtë po ju sjellim diskutimet mbi pikat që janë paraqitu dhe vendimet ose propozimet që janë marrë.

BORXHET – Kryetarja e Komunës së Gjakovës Mimoza Kusar-Lila, në mbledhjen e qeverisë komunale, ka autorizuar të gjithë drejtorët e drejtorive që në afat prej 5 ditësh, më saktë deri të premten e kësaj jave të prezantohet çdo faturë e papaguar e operatorëve ekonomik që komuna ka obligime materiale ndaj tyre. Sa kaq, të definohet borxhi i saktë i qeverisë së shkuar komunale.

“Deri të premten kërkojë që të hartohet lista e borxheve që nuk janë paguar nga qeveria e kaluar. Njëkohësisht të gjitha drejtoritë të paraqesin obligimet materiale që nuk janë paguar gjatë katër viteve të fundit nga qeveria e shkuar komunale”, ka kërkuar kryetarja Kusari-Lila nga drejtorët e drejtorive përkatëse komunale të hënën në mbledhjen e rregullt të Bordit të Drejtorëve.

Kryetarja ka kërkuar listën e operatorëve dhe  saktësimi i shumës së borxheve të bëhet menjëherë publike, dhe mos të ketë hapësirë për manipulime të cilës do natyrë apo kahja që mund të jenë. Sipas drejtorit të Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Teki Shala, është bërë e ditur që borxhet që ka komuna ndaj operatorëve ekonomik, datojnë jo vetëm nga viti 2009 e deri në vitin 2013, por borxhe të pa paguara nga komuna janë të evidentuar edhe ato të vitit 2008.

PRONA PUBLIKE – Në mbledhjen e sotme të Bordit të drejtorëve është sqaruar edhe çështja e pronësisë së objekteve të Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë. Sipas Skender Tullumit, drejtor i DGJK, ka sqaruar për dy objektet, tek i parë me hapësirën e  jashtë është pronë komunale, ndërsa ngastra ku është objekti i Entit të Urbanizmit është pronë komunale ndërsa hapësira e jashtëm është pronë publike. Pas këtij sqarimi me propozimin e kryetares Mimoza Kusari- Lila u vendos që dy objektet në fjalë të rrënohen dhe hapësira në këtë ngastër të shndërrohet në zonë të gjelbëruar, apo shesh për nevojat e qytetarëve.

SUBVENCIONIMI I NXËNËSVE – Nga ana e Drejtorisë së Arsimit është paraqitur kërkesa për subvencione të nxënësve me nevoja të veçantat e të cilët udhëtojnë në shkollat e tyre përkatëse. Bordi i Drejtorëve ka aprovuar këtë kërkesë me mundësi të pagesave në dy këste në shumë nga 150 euro.

BURSAT PËR STUDENTËT – Ndërkohë DA kërkoi nga BD që të aprovojë edhe dhënien e bursave për studentët  në vitin akademik 2013-2014, dhe në këtë rast u aprovua mundësia që mjetet të ndahen nga subvencionet e zyrës së kryetares së komunës. “Në rast të rritjes së të hyrave buxhetore vetjake të komunës do të përcaktohet edhe numri i bursave për studentë, por edhe prioritetet”, ka thënë kryetarja Kusari-Lila.  Ajo sa kaq ka kërkuar që të plotësohet rregullorja komunale për ndarjen e subvencioneve të kësaj natyre.

TË HYRAT – Nga ana e Teki Shalës. Drejtor i DBF, është prezantuar informata financiare e të hyrave vetjake komunale. “ Të hyrat vetjake komunale për dy muajt e shkuar të vitit në vazhdim, janë favorizuese dhe mjaftë të suksesshëm”, ka thanë Shala, duke e saktësuar shumën e grumbullimit të këtyre mjeteve në vlerë prej 380 mijë e 188 euro. Shumë kjo e cila premton që të vazhdojë me të njëjtin ritëm edhe në muajt e ardhshëm të vitit në vazhdim.

KURSIMI I BUXHETIT – Ndërsa sa i përket kursimit të mjeteve buxhetore për këtë vit, Shala, ka thënë se me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, është paraparë që të kursehen mesë 15 %  e mjeteve buxhetore nga vijat përkatëse buxhetore. Dhe bazuar në këtë përqindje të kursimit në këtë vit komuna e Gjakovës do të kursej 280 mijë euro.

KONFERENCA E DONATORËVE – Nga ana e Kryetares së Komunës u prezantuar edhe mirëvajtja dhe suksesi i Konferencës së Donatorëve, ku sipas kryetares Kusari-Lila, është një dosje e pasur me vlerë. Kryetarja ka kërkuar që të botohet një libër i projekteve dhe të jetë i ndarë sipas sektorëve përkatëse. Sipas saj tash për tash janë kërkuar projekte nga GIZ- Gjerman, USAID-i, por edhe donatorë tjerë. Ndërsa është kërkuar që projektet dërgohen edhe në agjenci të tjera evropiane e më gjerë.

TË NDRYSHME – Në mbledhjen e radhës të BD-së janë shqyrtuar edhe pika të tjera të rendit të ditës, siç u cek rasti për shpenzimet për manifestimet e zhvilluar për 7 dhe 8 mars, pastaj kërkesa për formimin e komisionit për regjistrimin e mallit të konfiskuar nga inspektorët komunal që gjendet në depo. Një pikë tjetër e rendit të ditës ishte edhe përcaktimi konkret i bartësit të elaboratit për renovimin e projektit për rregullimin e shtratit të lumit “Krena”. Për përcaktimin e gjatësisë ku është paraparë me projekt ndërtimi i shtratit të këtij lumi.

Në këtë mbledhje është diskutuar edhe çështja e komisioneve për vlerësimin dhe mbikëqyrjen e punimeve të kryera dhe komisioni përkatës të plotësohet edhe me nga një anëtarë të drejtorive të cilat kanë pasur projektet e tyre në teren, duke u vlerësuar secili projekt veç e veç./radiogjakova/