Kusari-Lila pret Borchardt-in dhe Kuqin
Gjakovë- Kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari-Lila ishte nikoqire e zv/kryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuqi dhe Shefit të misionit të EULEX-it, Bernd Borchardt. Në këtë takim të nivelit të veçantë Kusari – Lila ka thënë se institucioni që ajo drejton por edhe të gjithë qytetarët e komunës së Gjakovës, janë të interesuar që rendi dhe Ligji të jenë primare në komunën e Gjakovës.
“Çdo qytetar i komunës së Gjakovës dëshiron ta ndjejë se në vendin tonë ka drejtësi dhe se po funksionon ligji. Me kapacitetin tim si kryetare e Gjakovës garantoj se do të jemi bashkëpunues të fuqishëm në këtë drejtim e gjithashtu edhe promotorë të zhvillimit të mirëfilltë, zhvillimit të qëndrueshëm dhe të bazuar në rend dhe ligj”, ka thënë Kusari – Lila.
Gjatë takimi që dy zyrtarët e lartë e kanë zhvilluar të hënën me kryetaren e komunës së Gjakovës është përmendur vendosmëria, në veçanti e EULEX-it, për vendosje të rendit dhe ligjit, respektim të tij, ndëshkim për të gjithë kryerësit e veprave penale, pavarësisht llojit dhe natyrës së tyre.
“Aktualisht jemi duke punuar në mbi 200 raste ndërkohë që jemi duke ju ndihmuar edhe kolegëve kosovarë në zgjidhjen e çështjeve të tyre. Kjo është shifër në nivel të Kosovës, ku natyrisht nuk përjashtohet as komuna e Gjakovës”, ka thënë shefi i EULEX-it Borchardt. Lidhur me këtë angazhim në fushën e Dritësisë dhe Ligjit , Borchardt e ka njoftuar kryetaren Kusari – Lila për bashkëpunimin që EULEX-I me policinë e Kosovës në Gjakovë dhe me gatishmërinë dhe angazhimin e njerëzve të EULEX-it për të t’i ofruar ndihmë policisë dhe Prokurorisë Themelore në Gjakovë.
E përkrahje për një komunë më të qetë siç është Gjakova, ka premtuar edhe zëvendës kryeministri dhe ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi. “Gjatë mandatit tim Gjakova e ka përfituar Gjykatën Themelore dhe Prokurorinë Themelore ndërsa tani premtoj se shumë shpejtë do ta ketë edhe Drejtorinë Rajonale të Policisë. Kjo besoj se do të jetë shumë shpejtë, sepse premtimet e mija dhe angazhimi im nuk lidhen me vite por me ditë” ka thënë Kuqi./radiogjakova/