.
Published On: Thu, Mar 20th, 2014

100 ditët e Kulturës

Share This
Tags

meriton-feriziGjakova nuk ka shënuar ndonjë të arritur të madhe në lëmin e kulturës gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes së kryetares Mimoza Kusari–Lila, megjithatë, sipas zyrtarëve të tanishëm të Kulturës, gjatë kësaj periudhe është bërë shumë në krahasim me punën që e ka bërë qeverisja e kaluar lokale.

Drejtori i drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Meriton Ferizi ka thënë se duke marrë parasysh gjendjen në të cilën ka qenë sektori i kulturës, 100 ditshi i parë mund të konsiderohet i suksesshëm. Ai ka pohuar se drejtorinë e ka gjetur me buxhet tërësisht të harxhuar dhe me rreth 130 mijë euro borxhe.

Megjithatë, ai ka thënë se përkundër gjendjes së rëndë financiare, është arritur që në komunën e Gjakovës të shënohen disa aktivitete të rëndësishme kulturore, duke veçuar këtu shënimin në mënyrë dinjitoze të përvjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe festave të 7 e 8 marsit. Ai ka shtuar se krahas aktiviteteve, prej ardhjes së tij në detyrë ka punuar edhe në përmirësimin e politikave kulturore në komunë, ndërsa theks të veçantë i ka kushtuar Teatrit të Gjakovës.

Sipas tij, synimi kryesor mbetet zgjidhja përfundimtare e statusit të Teatrit të Gjakovës. Drejtori Ferizi ka përmendur edhe angazhimin në përgatitjen e projekteve për renovimin dhe ristrukturimin e Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi”, si dhe përgatitjen e projekteve për rregullimin e muzeut të muzikës dhe muzeut historik, projekte këto që u prezantuan në konferencën e donatorëve./radiogjakova/