Zona e lirë ekonomike, Kusari-Lila e Nikaj takim me bizneset
Gjakovë- Kryetarja e Komunës Mimoza Kusari-Lila dhe ministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Bernard Nikaj kanë zhvilluar një debat konsultativ me përfaqësues të bizneseve të Gjakovë, lidhur me shpalljen e Gjakovës zonë e lirë ekonomike.
Kusari-Lila, ka shpjeguar në këtë rast duke thënë se “vetë koncepti i zonës së lirë definohet me lehtësira fiskale në një territor si është komuna e Gjakovës. Zona e lirë ekonomike , sjellë shumë risi dhe zgjidh një mori kërkesash të cilat komunitetit i biznesit i ka pasur me vite të tëra në Kosovë. Interesat e juaja në këtë rrafsh ekonomik, do të plotësohen apo realizohen me profite të arritshme që është forca punëtore, shërbimet që do ofrohen, kërkesat për lëndë të parë, lirimi nga dogana për import e eksporte dhe shumë shërbime të cilat do të favorizojnë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të biznesit të juaj”, ka thënë kryetarja e Gjakovës.
Ndërkohë titullari i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj u shpreh se koncepti dhe ngritja e zonës së lirë ekonomike ka të bëjë me mekanizmin e nxitjes së investimeve dhe zhvillimit të bizneseve që mëtojnë tregun rajonal dhe evropian.
“Zonat e lira ekonomike si kjo e Gjakovës dhe e Mitrovicës, kanë të bëjë me përfitimet fiskale që do t’i gëzojnë bizneset. Zonat e lira ofrojnë lehtësira të llojllojshme për biznese që lidhen me fushën fiskale, infrastrukturën e tjera”, tha ai.
Sipas ministrit Nikaj, në zonën e lirë ekonomike në Gjakovë dhe Mitrovicë, është përcaktuar kuota 0% e taksave për importimin e lëndës së parë dhe në zonën e lirë ekonomike sigurohet infrastruktura, shërbimet administrative edhe një mori shërbime tjera për interesin e bizneseve.
Kusari- Lila dhe Nikaj, janë përgjigjur edhe pyetjeve të përfaqësuesve të bizneseve lidhur me shumë çështje, për hapësirat e zonës së lirë ekonomike, mënyrën e shfrytëzimit të këtyre hapësirave, format dhe metodat e funksionimit të zonës së lirë dhe një mori pyetjesh me interes për bizneset./radiogjakova/










