.
Published On: Tue, Mar 25th, 2014

Mbahet mbledhja e Asamblesë komunale

Share This
Tags

Asambleja1Gjakovë- Mbledhja e tretë e Kuvendit të Komunës së Gjakovës për vitin 2014 nën kryesimin e kryesuesit Luan Gola ka nisur me plotësimin e tre vendeve të zbrazëta në Kuvend, ku betimin e kanë dhënë Rrok Luli (PDK), Vjollca Roka (AKR) dhe Diana Hajdari (PSHDK).

KOMISIONI PËR EMËRTIMIN E RRUGËVE – Seanca pas miratimit të rendit të proceverbalit nga mbledhja e shkuar ka vazhduar me shqyrtimin e kërkesës për formimin e Komisionit për Emërtimin e Rrugëve, si obligim ligjor që secila rrugë të ketë emrin dhe kodin e veçantë. Xhelal Hoxha, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit ka dhënë sqarimet e duhura teknike rreth procedurës të bazuar në ligj  pë emërtimet e zonave të qarkullimit publik. Në këtë kontekst, drejtori Xhelal Hoxha ka bërë të ditur se në Komunën e Gjakovës janë identifikuar 970 kode të veçanta, prej të cilave 248 janë emërtuar, ndërkohë që të paemërtuara kanë mbetur edhe 722 kode si dhe shtesa prej 20% e emërtimeve rezervë.

Për realizimin e këtij projekti BE-ja dhe qeveria norvegjeze kanë ndarë 55 mijë euro, ku secila rrugë e emërtuar do ta ketë tabelën. Pas diskutimeve është vendosur që Komisioni për Emërtimin e rrugëve të ketë këtë përbërje prej përfaqësuesve të gjashtë partive politike si dhe përfaqësues nga organizata dhe institucione tjera, si dhe një anëtar nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit.

KKSB – Në këtë mbledhje gjithashtu është themeluar edhe Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Komunës së Gjakovës e cila do të kryesohet nga kryetarja e komunës, Mimoza Kusari Lila.

UGJ “FEHMI AGANI” – Po ashtu është miratuar edhe propozim-vendimi i kryetares që të mbështetet kërkesa e Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani” për dhënien në shfrytëzim të objekteve për punë të universitetit. Në bazë të këtij vendimi  në shfrytëzim të përkohshëm jepen objektet e ish-Shkollës së Lartë Pedagogjike “Bajram Curri”, Fakulteti i Edukimit  dhe objekti i ish Shkollës së Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha”.

ZONAT ME INTERES TË VEÇANTË – Në rendin e ditës ka hyrë edhe një pikë tjetër që kishte të bënte me shpalljen e zonave të interesit të veçantë, ku bëhej fjalë për rreth rrotullimin në rrugën në dalje në drejtim të Prizrenit, për hapësirën pranë QKMF-së për rregullimin e hapësirës tek Kulla e Sahatit si dhe për impiantin që gjendet në rrugën që shpie në drejtim të “Zidit së Sadik Agës”, prapa “Deva Gazit”. Të tri këto janë votuar ndaras dhe që të tri kërkesat të sjella si propozim-vendime nga kryetarja Mimoza Kusari Lila janë votuar unanimisht.

KOMISIONET PËR NP-të – Kuvendi i Komunës ka krijuar edhe tri komisione të reja komunale për ndërmarrjet publike “Stacioni i Autobusëve”, “Çabrati” dhe “Ngrohtorja e Qytetit”.

DEBATI PËR SHËNDETËSINË – Më pas, nga këshilltarët komunal, me kërkesë të subjektit politik AAK është debatuar mbi gjendjen në shëndetësinë e Komunës së Gjakovës, ku në pyetjen kryesore që kishte të bënte rreth Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, nga Basri Komoni, drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë është dhënë njoftimi se pas përfundimit të procedurave të hetuesisë pas djegies të shkaktuar nga rrjeti i rrymës si dhe me alokimin e dytë të mjeteve financiare planifikohet që në mesin e muajit prill të hapet tenderi për riparime. Nga Luan Gola, në emër të grupimit politik LDK janë dhënë disa rekomandime, që siç u shpreh, do të trajtohen edhe në Komisionin për Shëndetësi./radiogjakova/