.
Published On: Fri, Mar 28th, 2014

Jahja Shehu, laureat i Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore

Share This
Tags

jahja-shehuPrishtinë- Aktori i njohur Jahja Shehu është laureat i Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore në fushën e teatrit. Atij iu nda çmimi dje (të enjten), në Ditën Botërore të Teatrit, nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi në një ceremoni rasti në MKRS, e ku po ashtu u ndanë edhe Çmimet vjetore për teatër për vitin 2013.

Për shfaqjen më të mirë është shpërblyer shfaqja “ Mbas zonjushës Julie”, me regji të Kushtrim Koliqit dhe produksion të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

“Sikur kjo të ishte shfaqje” është shpërblyer me çmimin për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar. Kjo shfaqje është prodhim i kompanisë teatrore ‘La Rremë’ në bashkëpunim me Teatrin ODA.

Kushtrim Koliqi ka marrë çmimin për regjinë më të mirë, për shfaqjen ‘Mbas zonjushës Julie”. Aktorja Gresa Pallaska ka marrë çmimin për aktoren më të mirë në rolin e saj në shfaqjen ‘Mbas zonjushës Julie”.

Laureati i Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore, Jahja Shehu u shpreh se ndjehet shumë i lumtur për dy arsye:

“Fillimisht i kam dy arsye sot që të jem jo vetëm i lumtur por shumë i lumtur, sepse e para arsye është që në këtë moshë timen megjithatë e prita edhe këtë ditë të teatrit, ndërsa e dyta është se duke i falënderuar gjithë atyre njerëzve të mirë të cilët janë bërë pjesë e jetës teatrore në Kosovë, e që më së miri dinë ta çmojnë punën, sakrificën e aktorit. Falënderojë mikun tim ministrin e kulturës i cili e mendoi në mënyrë të mrekullueshme që megjithatë aktorët t’i nderojë njëherë në vit. Ky çmim në një farë mënyre e mbylli punën time 46 vjeçare të pandërprerë në dërrasat dhe në pluhurin aq të këndshëm të skenës”, ka thënë Shehu.

Ministri Krasniqi tha se ndjehet i nderuar që ka pasur rastin të punojë në themelimin e këtyre çmimeve dhe në ndarjen e tyre.

“Më vjen mirë që sot statusi i aktorëve është shumë më i mirë sesa ka qenë para tri vjetëve duke filluar nga ata të Teatrit Kombëtar dhe institucioneve të tjera kulturore që padyshim kanë pasur një trajtim jo meritorë për shumë vite, ndërsa sot përveç që kanë një status juridik të sigurt kanë edhe një trajtim shumë të mirë institucional, me paga trefish më të mëdha dhe gjithsesi që kjo përkujdesje institucionale do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, ka deklaruar Krasniq, i cili ka potencuar se është duke u punuar që Teatri i Gjakovës të bëhet Teatri i dytë Kombëtarë në Kosovë.

Ai gjithashtu aktorin fitues të çmimit për vepër jetësore, Jahja Shehun e cilësoi si një ndër personalitetet e shquara të jetës kulturore në vendin tonë, një emër i madh i skenës teatrore, i cili ka dhënë me dekada role të jashtëzakonshme në skena të ndryshme të vendit tonë.

Burbuqe Berisha, kryetare e jurisë, ka thënë se e kanë pasur të vështirë përzgjedhjen e fituesve por ka pasur edhe larmishmëridiçka që ka qenë edhe shumë e veçantë sepse secili teatër ka nomin nga një shfaqje ose person për vepër jetësore.

“Mendoj që kemi bërë një punë mjaft të shpejtë dhe mjaftë dinamike. Jahja Shehu ka qenë edhe njëri ndër personat më të nominuar nga teatrot. Shfaqja “Mbas zonjushës Xhuli” është cilësuar mirë nga kritika dhe profesionistes si një shfaqje avangarde që e ka ndryshuar qasjen e komunikim në teatër që është e rëndësishme”, ka thënë Berisha.

Pjesë e jurisë për ndarjen e çmimeve për Vepër Jetësore në fushën e Teatrit dhe Çmimet Vjetore për Teatër për vitin 2014 kanë qenë: Basri Lushtaku, Arben Zharku, Orhan Kerkezi dhe Liridon Cahani.

Bazuar në Rregulloren për ndarjen e çmimeve vjetore për teatër, Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore ka vlerë financiare 5 mijë euro, ndërkaq kategoritë tjera shpërblehen me nga 2 mijë e 500 euro.