.
Published On: Tue, Apr 1st, 2014

Gjoba, për ata që keqpërdorin ujin e pijes

Share This
Tags

larje-vetuGjakovë- Me ngritjen e temperaturave të ajrit ka filluar konsumimi më i shtuar i ujit të pijes e me këtë edhe keqpërdorimet duke shfrytëzuar ujin e pijes për ujitje të kopshteve e pastrim të rrugëve.  Me qëllim të furnizimit më sasi të nevojshme me ujë, në periudhën verore për tërë konsumatorët  e regjionit KRU “Radoniqi” përmes një apeli ka lutur konsumatorët të racionalizojnë shpenzimin e ujit të pijes nga rrjeti i ujësjellësit dhe të mos keqpërdorin.

Njëkohësisht përmes këtij apeli ka rikujtuar për masat ndëshkuese ndaj keqpërdoruesve. Në apelin e dorëzuar medieve KRU”Radoniqi”  thekson  se për të mbajtur në kontrollë dhe stabile shërbimet, do të angazhojë mekanizmat  të saj dhe  strukturat  institucionale të Inspektoriatit Komunal, të Policisë së Kosovës, do të veprojë me masa ndëshkuese konform vendimit të aplikueshëm të Ministrisë Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor.

Për mos respektimin e këtij vendimi tek te gjithë keqpërdoruesit  do të pasojnë gjobat: Për spërkatje të pa autorizuar të rrugëve dhe trotuareve  ndëshkimi do të jetë  300 euro, aq sa do të jetë edhe për ujitje të kopshteve dhe oboreve. Për autolarje me ujë nga rrjeti i ujësjellësit të pijes gjoba do të jetë 500 euro ndërsa për shfrytëzim jo të domosdoshëm do të jetë 500 euro.

Bazuar në ligjet dhe rregulloret në fuqi,  Kompania e Ujësjellësit Radoniqi  kujton edhe një herë se  vjedhja e shërbimeve të ujit është vepër penale dhe aplikohet dënimi  me burgim deri 1 vit .

KRU “Radoniqi” falënderon konsumatorët për bashkëpunim në shlyerjen e borxheve  dhe shfrytëzim racional të ujit, sepse vetëm me një organizim të këtillë po mundësohet furnizim i pandërprerë 24 orësh me ujë të pijes për të gjithë konsumatorët./radiogjakova/