Bordi i Drejtorëve, vendos të asfaltojë disa rrugë
Gjakovë- Është mbajtur mbledhja e rregullt javore e qeverisë lokale. Nën kryesin e kryetares Mimoza Kusari -Lila, qeveria lokale ka shqyrtuar një varg pika me interes për qytetarët dhe Komunën.
KËRKESA E PENSIONISTËVE – Fillimisht me aprovimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të Drejtorëve, është aprovuar kërkesa e Organizatës së Pensionistëve, që në një afat të shkurt të ekzekutohet vendimi i qeverisë së shkuar, që për një vit është anashkaluar kërkesa e kësaj organizate lidhur me një mbështetje financiare në shumë prej 1.000 euro, shumë kjo që do të shërbejë për aktivitetet e organizatës në fjalë dhe për shpenzime tjera komunale.
ASFALTIMI I RRUGËVE- Një prej pikave të rendit të ditës që u shqyrtuan në këtë mbledhje ishte edhe fillimi i punimeve, në infrastrukturën rrugore në disa prej akseve lokale në qytet. Kështu, me kërkesën e Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik të cilën e paraqiti drejtoresha Silvana Domi, kryetarja e komunës Mimoza Kusari-Lila dhe Bordi i Drejtorëve mori vendim që punimet në asfaltimin e tri rrugëve të fillojnë që nga dita e nesërme (e enjte).
Rrugët “Lidhja e Prizrenit”, “ Tom Gjoka” dhe rruga “Abdurrahman Buza”, do të shtrohen me dy shtresa asfalti për t’u përfunduar në terësi, ndërsa tri rrugë të tjera “Sadik Stavileci”, “Visar Juniku” dhe rruga “Sadik Pozhegu”, do të ndërtohen me kubza betoni. Për projektin e parë të asfaltimit të tri rrugëve sipas drejtoreshës Domi, nga buxheti komunal do të shpenzohen mbi 25 mijë euro, ndërsa për projektin e dytë të shtruarjes me kubza betoni, komuna ka ndarë mjete në vlerë prej mbi 92 mijë euro.
LAPIDARI NË BERJAH – U diskutua edhe një kërkesë tjetër që ka paraqitur drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa Teki Shala, lidhur me bashkëfinancimin e ngritjes së lapidarit për dëshmorët e kombit në fshatin Berjah. Njëkohësisht është diskutuar edhe për çështjen e disa pagesave për shfrytëzimi të objektit të Bankosit.
SUBVENCIONIMI I NXËNËSVE – Ndërkohë është aprovuar edhe kërkesa e drejtoreshës së Arsimit, Dijana Çarkaxhia lidhur me subvencionimin e 35 nxënësve të fshatit Cermjan për udhëtim të tyre në relacionin Gjakovë-Cermjan dhe anasjelltas si dhe për shpenzimet e udhëtimit të dy nxënësve me aftësi të kufizuar, kërkesë kjo e cila u aprovua nga Bordi i Drejtorëve./radiogjakova/










