.
Published On: Tue, May 6th, 2014

Mustafa: LDK-ja pret mbështetje nga gjakovarët

Share This
Tags

mustafa-gjakoveGjakovë- Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa ka qëndruar në Gjakovë, përkatësisht në fshatin Skivjan, me ç’rast para banorëve të këtij fshati e ka shpalosur platformën zgjedhore të LDK-së.

Duke folur para të mbledhurve, Mustafa ka thënë se është vetëm LDK-ja ajo që mund të garantojë një qeverisje të suksesshme dhe një jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës. Ai ka insistuar që banorët e Skivjanit, por edhe ata të Gjakovës në përgjithësi duhet ta përkrahin LDK-në dhe kandidatët e saj për deputetë, sepse këta kandidatë janë njerëz që nuk e kanë zhgënjyer asnjëherë elektoratin e tyre dhe qytetarët e Kosovës.

Një fjalë rasti në këtë aktivitet e ka mbajtur edhe ish komandanti i betejës së Koshares, deputeti Anton Quni. Ai ka thënë se ashtu siç ka dhënë kontribut para luftës e ashtu siç e ka bërë luftën çlirimtare, LDK-ja do ta vazhdojë angazhimin dhe kontributin edhe tani, për ta bërë dhe forcuar shtetin e Kosovës.

Përveç takimit me banorët e fshatit Skivjan, kryetari i LDK-së Isa Mustafa paraprakisht ka vizituar edhe dy biznese lokale në Gjakovë, me ç’rast ka premtuar se në fokus të LDK-së janë lehtësirat tatimore dhe përkrahja e vazhdueshme e bizneseve./radiogjakova/