.
Published On: Tue, May 13th, 2014

Limaj zyrtarizon “Nismën” në Gjakovë

Share This
Tags

nisma-limajGjakovë- Fatmir Limaj, dikur njëri ndër njerëzit më të afërt të kryeministrit aktual, Hashim Thaçi, sot kryetar i partisë “Nisma për Kosovën”, ka premtuar të hënën në Gjakovë se nëse do të jetë pjesë e qeverisë së vendit, do ta bëjë atë që qeverisja e deritashme nuk e ka bërë gjatë mandatit të fundit.

Në ceremoninë e zyrtarizimit të degës së “Nismës” në këtë komunë, Limaj ka thënë se Gjakova ka qenë e anashkaluar nga qeverisja e deritashme e Kosovës, prandaj gjendja në këtë komunë është mjaft e rëndë, ashtu siç është e rëndë edhe në tërë Kosovën.

“Ne nuk duam të largohen të rinjtë nga Kosova, nuk duam të varfërohet edhe më tej familja kosovare, nuk duam të rriten listat e asistencës sociale. Ne duam ndryshe. Ne kemi menduar për një shtet ndryshe; një shtet ku vajza dhe djali ynë, ku punëtori, mësuesi, doktori, inxhinieri e të tjerët do të kenë hapësirë dhe mundësi të mjaftueshme për të ndërtuar jetën dhe karrierën e tyre në vendlindjen e tyre.

A kemi sot këtë në Kosovë? Jo, dhe një shembull i mirë që këtë nuk e kemi është komuna e Gjakovës, e cila nga një komunë e optimizmit, zhvillimit dhe ndërtimit, sot është kthyer në një simbol të pesimizmit, simbol të humbjes së shpresës”, ka thënë Limaj në fjalën e tij.

Duke drejtuar akuza të drejtpërdrejta tek ish-partia e tij, Partia Demokratike e Kosovës, Limaj ka shtuar se njerëzit e kësaj partie duhet të japin përgjegjësi para popullit për dështimet e mandateve të kaluara, e jo të kërkojnë përgjegjësi të reja për mandatet e ardhshme.

“Sot kanë dalë e po thonë: po fillojmë me ‘Misionin e ri’. Kjo i bie të na thonë: harrojeni çka ka ndodhur 7 vjet e tani po ja nisim prej fillimit. Por, jo. Ne nuk kemi kohë t’ia nisim prej fillimit. Në një vend normal e demokratik, qeverisja para qytetarëve tregon çka ka bërë në mandatin që po e lëmë pas. Ne nuk po e dëgjojmë këtë, por po dëgjojmë premtime. Po na tregojnë çfarë po duan të bëjnë, pa na treguar çfarë kanë bërë deri më tani. Kjo po ndodh sepse nuk ka bërë asgjë deri më tani”, ka shtuar ai.

Në këtë takim është zyrtarizuar edhe koordinatori i degës së “Nismës” për Gjakovën, Fazli Hoxha, ish-luftëtar i UÇK-së, dhe pjesëtar i suksesshëm i TMK-së dhe FSK-së.