.
Published On: Thu, May 15th, 2014

AAK: Kryetares po i ikin donatorët, Komuna e mohon

Share This
Tags

komuna-gjkGjakovë- Dega e AAK-së në Gjakovë, të enjten ka mbajtur një konferencë për media, në të cilën ka shpalosur, sipas tyre, disa nga shkeljet dhe dështimet e qeverisjes lokale, të kryetares Mimoza Kusari – Lila.

Njëra ndër akuzat e subjektit opozitar ka qenë favorizimi, që sipas tyre, kryetarja Kusari – Lila po u bën kompanive të caktuara, ndërsa si shembull kanë përmendur kompanisë “S – Imeri” e cila ka qenë donatore në renovimin e zyrës së kryetares Kusari – Lila, ndërsa tani e ka fituar tenderin për renovimin e zyrës së kryesuesit të Asamblesë komunale, Luan Gola.

Sipas kryetarit të degës së AAK-së Pal Lekaj, kjo është shkelje ligjore, sepse kjo kompani që para disa muajsh ka qenë donatore, nuk ka të drejtë të marrë pjesë në tenderët e të njëjtit institucion për një afat të caktuar kohor. “Disa herë e kemi dëgjuar kryetaren duke u ankuar për mungesë të buxhetit dhe duke thënë se komuna është në prag të falimentimit, ndërsa tash po e shohim se komuna paska mjete për rregullim për zyre e për krijim të komoditetit për zyrtarët e vet. E lusim kryetaren që më shumë të fokusohet tek projektet që përfitojnë qytetarët e jo individi, e jo lukset e tyre”, ka thënë Lekaj.

Zyrtarët e AAK-së e kanë akuzuar komunën dhe kryetaren Kusari – Lila edhe për, sipas tyre, humbjen e disa donacioneve dhe projekteve të huaja, kryesisht të projekteve të Bashkimit Evropian dhe Komisionit Evropian “Deri me tani komunës i janë refuzuar dy investime të projektit ‘Kosova e bukur’ dhe një nga projektet e Eured-it, ndërsa aktualisht është në prag të humbjes edhe të një projekti të KE-së dhe KDC-së ‘Perëndimi mendon për biznes’. Ka 5 muaj që kryetarja i ka bllokuar të gjitha zhvillimet në këtë projekt dhe ka vendosur që objektin e destinuar për këtë projekt ta rrënojë e ta ndërtojë sheshin e Sahatkullës, duke rrezikuar kështu të humbasë fondin prej 600 mijë eurosh të KE-së”, ka thënë Ismet Isufi, ish – koordinator i projekteve në qeverisjen e kaluar.

Por, të gjitha këto akuza janë mohuar nga zyrtarët e tanishëm komunal. Zëdhënësi i komunës Ali Tafarshiku ka thënë se Lekaj dhe AAK-ja po vazhdojnë të shpifin, me të vetmin qëllim që të mbulojnë të bëmat e veta që çdo ditë e më tepër po dalin në shesh.

“Deri me tani asnjë projekt nuk është refuzuar për komunën e Gjakovës dhe as projekti që ju po e përmendni nuk ka gjasa të dështojë. Në fakt, projekti ka qenë afër dështimit për shkak se ish – qeverisja nuk e ka kryer pjesën e vet të participimit prej 123 mijë eurosh. Kyetarja Kusari – Lila është në negociata me zyrtarët e KE-së dhe në një afat të shkurtër komuna do ta kryej obligimin e vet financiar, do ta gjej objektin e përshtatshëm dhe projekti do të vazhdojë së funksionuari. Ndërsa, sa i përket renovimit të zyrës, kompania në fjalë ka të drejtë të konkurojë në mënyrë të barabartë me të tjerët. Atë e ka bërë, ka pasur kushte më të mira dhe ka fituar, për ta kryer një punë që nuk është për lukse të zyrtarëve por është e kundërta e kësaj, t’i heqë lukset e qeverisjes së kaluar dhe të krijojë ambiente funksionale për punë”, ka shtuar Tafarshiku.