Zhbogar viziton Gjakovën, takim me Kusari-Lilën
Gjakovë- Në qytetin e Gjakovës ka qëndruar përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar me bashkëpunëtorë. Zhbogar me këtë rast fillimisht është takuar me kryetaren e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila, ndërkohë që pas këtij takimi është organizuar një konferencë me gazetarë në të cilën janë prezantuar hollësi nga ky takim.
Sipas kryetares Kusari-Lila, temë e bisedës kanë qenë mundësia e bashkëpunimit të Komunës me BE-në përmes projekteve të Zyrës në Prishtinë. Sipas saj, BE-ja e ka prioritet forcimin e sektorit privat, dhe fascilitimin e këtij sektori përmes projekteve përkatëse, për çka ekziston një interesim i madh i kreut komunal në Gjakovë.
Pos kësaj, në këtë takim, kryetarja e komunës e ka njoftuar njeriun e parë të BE-së në Kosovë, edhe për përpjekjet që po bënë Komuna për krijimin e kushteve të nevojshme për riatdhesim dhe riintegrim të familjeve të cilat jetojnë jashtë Kosovës. Në këtë drejtim, marrë në përgjithësi, sipas Kusari-Lilës, nuk është arritur të bëhet një kthim i qëndrueshëm.
Në anën tjetër përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, fillimisht ka folur për projektet në vazhdim të BE-së në Gjakovë, përkatësisht për renovimin e pallatit të sportit “Shani Nushi”, pastaj për projektet e efiçencës së energjisë në dy shkolla, si dhe për stadiumin e futbollit i cili pritet të ndërtohet gjatë kësaj vere.
Pos kësaj si ka theksuar Zhbogar, në këtë takim është bërë fjalë edhe për skemën e grandeve përkatësisht tenderët e BE-së të cilët do të dalin shumë shpejt, dhe në këtë drejtim, nisur nga kërkesat e banorëve të komunës së Gjakovës, pritet një interesim edhe nga kreu i këtushëm komunal. Me këtë rast Zhbogar ka veçuar tenderët për bujqësi përkatësisht për lëmit e përpunimit të ushqimit, pastaj projekte për ndërmarrje të vogla e të mesme, e të tjera.
Ndryshe, pas takimit me kryetaren e komunës së Gjakovës, Kusari–Lila, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar me bashkëpunëtor, përkatësisht me shefin e operacioneve Kristof Shtok, ka vizituar edhe shkollën e mesme të mjekësisë “Hysni Zajmi”, me ç’rast është biseduar kryesisht për BE-në dhe misionet e saja në Kosovë./radiogjakova/










