Mantelbardhët kërkojnë kushte më të mira pune

Përfaqësuesit e sindikatës rajonale të Shëndetësisë në Gjakovë, janë ankuar për kushte jo të mira të punës së punëtorët shëndetësor. Sipas Edmond Arapit, përfaqësues i Sindikatës rajonale të shëndetësisë, në qendrat e mjekësisë familjare mungojnë mjetet e punës, uniformat, higjiena, terapia, materialet mbrojtëse për punëtorët, vaksinimi nuk është në kushte të mira, e të tjera. Për këtë, sindikata ka ftuar edhe inspektorët republikan të punës, nga të cilët ka kërkuar që ta bëjnë inspektimin e të gjitha qendrave të mjekësisë familjare.
Arapi, ka shtuar se për shkak të mungesës së kushteve, ka rënë edhe performanca e punëtorëve dhe rezultatet nuk janë të mira. Ndërkohë, sindikalistët thonë se në rënie të përformances ka ndikuar edhe mbyllja e QKMF-së e cila ka sjellë edhe pamundësinë e ofrimit të shërbimeve cilësore shëndetësore. Problemet në sistemin primar shëndetësor kanë qenë të publikuara edhe në një anketë që KDI-ja e ka bërë me qytetarët e komunës së Gjakovës.
Në këtë anketë, qytetarët kanë kërkuar përmirësim të shërbimeve në qendrat mjekësore dhe rihapjen e QKMF-së. E për të gjitha këto, Ali Tafarshiku, shef i kabinetit të kryetares Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se po punohet që shumë shpejtë QKMF-ja të hapet dhe gjendja t’i kthehet normalitetit. Ai ka premtuar se pas hapjes së QKMF-së, pacientët do të ballafaqohen me kushte dhe shërbime më të mira.










