Rreth 80 familje gëzohen për Kurban Bajram
Me rastin kurban Bajramit, 80 familje nga komuna e Gjakovës kanë përfituar këto ditë ndihma në ushqime, të cilat janë dhuruar nga Kryqi i Kuq komunal, ndërsa janë siguruar nga kompania private “Euro Shop”. Dushe Lama sekretare e Kryqit të Kuq ka thënë se mundësitë për dhënie të ushqimeve kanë qenë vetëm për këto familje, ndonëse kërkesa dhe nevojat për ndihma të tilla kanë qenë shumë më të mëdha.
Ajo ka bërë të ditur se kriteret për të përfituar nga këto ndihma kanë qenë gratë kryefamiljare, pleqtë e vetmuar dhe familjet që nuk kanë asnjë të ardhur tjetër përpos asaj që marrin në organizatën komunale të Kryqin të Kuq.
Lama ka shtuar se përderisa lista e dhuruesve po vazhdon të zvogëlohet, ajo e nevojtarëve po vazhdon të rritet çdo ditë e më tepër. Megjithatë, ajo ka bërë të ditur se në dy ditët e ardhshme do të shpërndahet edhe një sasi e miellit, e cila është siguruar nga Kryqi i Kuq i Kosovës./radiogjakova/