.
Published On: Tue, Oct 7th, 2014

QKMF-ja gati në nëntor

Share This
Tags

qkmf-gjakovePas jo më shumë se një muaji, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Gjakovë pritet të kthehet në shërbim të pacientëve, pasi sipas zyrtarëve përkatës komunal punimet tashmë janë në fazën e fundit.

Sipas drejtorit komunal për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale Basri Komoni, aktualisht janë duke u përfunduar punimet në katin e dytë, përkatësisht në repartin e stomatologjisë, ndërsa gjithçka është e gatshme në pjesët tjera të objektit, konkretisht në katin e parë të tij.

Komoni ka bërë të ditur se me renovimin e plotë dhe me riorganizimin e objektit, pacientët tashmë do ta kenë shumë më të lehtë orientimin dhe qasjen në të gjitha shërbimet që do të ofrojë Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare. Me renovimin e objektit, të gjitha shërbimet shëndetësore që ofrohen në këtë qendër do të kalojnë në pjesën e parë të objektit, ndërsa pjesa e prapme do të jepet në shfrytëzim për Qendrën Multi-funksionale të Gjakovës.

Punimet për renovimin e këtij objekti kishin filluar në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa sipas drejtorit Komoni pritet të përfundojnë krejtësisht në nëntor të këtij viti./radiogjakova/