Dëmtohet ura, vështirësohet qarkullimi në drejtim të Prizrenit
Një urë në dalje të fshatit Bishtazhin, në magjistralen Gjakovë – Prizren është dëmtuar mëngjesin e së enjtes dhe kjo e ka vështirësuar tej mase qarkullimin e veturave në këtë aks rrugor. Dëmtimin e urës e ka konfirmuar edhe komandanti i njësitit regjional të policisë së trafikut togeri Albin Sahatqija, i cili edhe ka dhënë detajet e këtij dëmtimi.
“Ura është dëmtuar seriozisht dhe e ka ngadalësuar dukshëm qarkullimin në këtë magjistrale, por megjithatë nuk e ka ndërprerë atë në tërësi. Me të marrë informacionin ne me njësitet tona e kemi bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, i kemi vendosur shenjat paralajmëruese dhe po e mbikëqyrim kalimin e kontrolluar mbi këtë urë. Me këtë rast, apeloj tek shoferët që të kenë kujdes gjatë kohës kur kalojnë në këtë urë dhe mundësisht t’i evitojnë lëvizjet e panevojshme”, ka thënë ai.
Togeri Sahatqija ka thënë se për dëmtimin e urës janë njoftuar edhe zyrtarët e komunës së Gjakovës dhe ata të ministrisë së Infrastrukturës, të cilët menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes. “Nga zyrtarët e ministrisë është thënë se do të bëhet përpjekje për gjetjen e një rruge alterantive, ndërsa qysh nesër (e premte) do të fillojë puna për rregullimin e urës”, ka shtuar Sahatqija.
E fati i mirë në këtë fatkeqësi është se pikërisht në afërsi të kësaj ure ekziston një rrugë fshati rreth 500 metra, e cila mund të përdoret si alternativë deri në rregullimin e rrugës. Por, që kjo të ndodhë, fillimisht zyrtarët përkatës duhet të ndërhyjnë në rrafshimin e saj, për faktin se e njëjta pothuajse është e pakalueshme.
Ndryshe, pas dëmtimit të urës së Rakovinës, e cila edhe pas një viti vazhdon të jetë jashtë funksionit dhe vazhdon ta mbajë të vështirësuar qarkullimin në aksin rrugor Gjakovë – Klinë – Prishtinë, kjo është ura e dytë që dëmtohet dhe që në njëfarë forme bllokon komunën e Gjakovës të lidhet me komunat tjera për rreth. E pikërisht për këtë, qytetarët frikësohen se edhe këtë urë do ta presë fati i asaj të Rakovinës.