Ndërtimi i rrugës për në Goden fillon së shpejti
Kanë hyrë në fazën e fundit procedurat tenderuese për ndërtimin e rrugës së re në relacionin Dol–Kusar–Goden, deri tek Pika Kufitare në Dobrunë, rrugë e cila do ta vë në funksion një pikë të re kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë. Por, përveç kësaj, kjo rrugë përfundimisht do të nxjerrë nga izolimi dhjetëra banorë të fshatit Goden, por mbi të gjitha do ta kthejë këtë fshat në një zonë të lakmueshme turistike.
Zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës të cilët po e implementojnë këtë projekt, kanë bërë të ditur se brenda pak ditësh pritet të fillojnë punimet e para, të cilat do të zgjasin varësisht prej mundësive që lejojnë kushtet atmosferike. Megjithatë, sipas tyre është me rëndësi që punimet të fillojnë brenda muajit tetor dhe ato të përfundojnë deri në fund të vitit, ose më së largu në dy muajt e parë të vitit të ardhshëm.
Ndryshe, për realizimin e kësaj rruge shumë të rëndësishme komuna e Gjakovës dhe Ministria e Infrastrukturës më herët e patën nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit dhe bashkëfinancimit të kësaj rruge. Me këtë rast, kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila kishte deklaruar se me asfaltimin e kësaj rruge, Godenit dhe tërë atij regjioni do t’i kthehet krenaria dhe mirëqenia e merituar dhe e fituar me mund e me gjak./radiogjakova/