.
Published On: Tue, Dec 16th, 2014

Lekaj: Vit i rekordeve të zeza për Gjakovën

Share This
Tags

lekaj-konferencaKryetari i degës së AAK-së në Gjakovë Pal Lekaj përmes një konferencë për media ka adresuar kritika të ashpra në drejtim të kryetares së Gjakovës Mimoza Kusari-Lila, kryesuesit të Asamblesë, Luan Gola dhe kryetarit të PDK-së, Hajdar Beqa që është në koalicion me qeverinë.

Lekaj ka thënë se ky vit që po përfundon është një vit i rekordeve të zeza dhe fjaleve boshe të Kusari-Lilës. Ai ka kërkuar nga e para e Gjakovës që nga fjalët të kalojë te punët konkrete për të mirë të Gjakovës.

“Ndryshimi ekonomik nuk erdhi edhe pas një viti në Komunën e Gjakovës. Vendimi për shpalljen e zonës së lirë ekonomike mbeti në letër si i tillë, dështim i vitit të parë të qeverisë së sindromit zero, një vit qeverisje me premtime dhe mashtrime. Një vit, fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë. Asnjë bilanc, asnjë vend të ri pune, asnjë investim, vetëm varfëri dhe papunësi”, ka thënë ndër të tjera Lekaj.

Sipas tij, qeveria lokale ka dështuar në premtimin e masave për nxitjen e krijimit dhe zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme duke shtuar kështu numrin e të papunëve në komunën e Gjakovës.

“Duke u ndalur edhe një herë tek tiparet e zhvillimit ekonomik lokal në këto 365 ditë ekonomia e Komunës së Gjakovës është në ditët e saja më të zeza. Për fat të keq, sot të bësh biznes në Komunën e Gjakovës kërkon një kurajë të madhe. Të flasësh sot për biznes, ku 80% e njerëzve luftojnë për bukën e gojës, kërkon guxim. Mbi 500 biznese në prag falimentimi, ndërsa papunësia po arrin nivele alarmante prej 58% dhe po prek kryesisht të rinjtë gjakovarë”, është shprehur Lekaj.

I pari i AAK-së në Gjakovë ka përmendur edhe sektorët tjerë, që sipas tij, Kusari-Lila dhe qeveria e saj ka dështuar plotësisht. Ai ka thënë se komuna ka dështuar në investime publike në arsim, shëndetësi, bujqësi, kulturë, rini dhe sport. Ka hedhur kritika të forta edhe për transparencën duke thënë se më shumë bëhet propagandë se sa inforomohet.

“Një vit pas rrotacionit paqësor të pushtetit, ndryshimet nuk shihen, statistikat, shifrat dhe faktet flasin qartë për një qeveri lokale që jo vetëm ka gënjyer në mënyrën me të paskrupullt e të papërgjegjshme zgjedhësit gjakovarë, duke e vënë gënjeshtrën e stërmadhe elektorale në një rang me zarfin e parave për të blerë vota, por ka dështuar bujshëm ketë vit edhe në ato pak premtime të cilat nuk i braktisi publikisht”, mbylli fjalën e tij Lekaj./radiogjakova/