.
Published On: Thu, Dec 18th, 2014

Përgatitjet e fundit për festat e fundvitit

Share This
Tags

festa-namazgjahuKomuna e Gjakovës është në fazën e fundit për organizimin e festave të fundvitit, organizim i cili sipas zyrtarëve komunal do të jetë madhështor dhe për këtë nuk do të shpenzohet shumë nga buxheti i komunës.

Abetare Domi, zëdhënëse e komunës së Gjakovës, ka thënë për Radio Gjakovën se festa do të fillojë me 23 dhjetor e do të zgjatë deri më 2 janar të vitit 2015. Ajo ka bërë të ditur se gjatë këtyre ditëve, një hapësirë e konsiderueshme do t’u jepet fëmijëve, me shumë aktivitete nga bota e tyre e larmishme, por nuk do të mungojnë as aktivitetet apo përformancat e përnatshme nga ana e artistëve më të mirë të Gjakovës dhe mysafirëve tjerë.

Gjithashtu, do të ketë edhe promovim të produkteve vendore, për të cilën do të shfrytëzohen 10 shtëpiza nga druri. E festat e fundvitit pritet të jenë më të veçanta se në vitet e kaluara, për faktin se komuna tashmë e ka caktuar një lokacion adekuat për tërë organizimin.

Gjithçka do të zhvillohet në sheshin prej 2500 metra katrore të Namazgjahut, shesh i cili është restauruar vetëm pak ditë më parë, dhe i cili gjithashtu është paraparë të jetë në funksion edhe të festave tjera në të ardhmen. Ndërkohë, ajo që ka rëndësi është fakti se për këtë organizim, komuna nuk do të shpenzojë shumë para nga buxheti komunal.

Domi ka thënë se komuna është duke bashkëpunuar me Organizatën Jo-Qeveritare “Femrat Aktive te Gjakovës”, e cila është subvencionuar me 3 mijë euro për mbështetje në organizimin e këtyre festave dhe dekorimin e qytetit, ndërsa pjesa kryesore e fondeve, rreth 20 mijë euro tjera, është ngritur nga kompanitë dhe bankat komerciale që operojnë në Gjakovë./radiogjakova/