Besimtarët katolikë festojnë Krishtlindjet
Besimtarët katolik, si kudo në Kosovë, edhe në komunën e Gjakovës, nesër (e enjte) kremtojnë festen e Krishtlindjeve, e cila simbolizon lindjen e Krishtit, që mes e njerëzve solli paqen, mirëqenien, lumturinë dhe harmoninë.
Me këtë rast sonte (e mërkurë) në të gjitha kishat e komunës organizohen meshat tradicionale të Krishtlindjeve, ndërsa mesha kryesore e udhëhequr nga Pater Nedou, mbahet në orën 00:00 në kishën e Shën Palit dhe Shën Pjetrit në Gjakovë.
Me rastin e festës së Krishtlindjeve, besimtarët e komunitetit katolik dhe Ipeshkvin e Kosovës, imzot Dodë Gjergjin, e kanë uruar udhëheqësit më të lartë institucional të Kosovës si dhe subjektet komunale të Gjakovës, duke u dëshiruar atyre mbarësi, shëndet, dashuri dhe shumë lumturi në jetë.
“Më lejoni që në natën që simbolizon lindjen e shpresës për njerëzimin, të ju përcjell urimet më të përzemërta me dëshirën që në jetën tuaj të mbizotërojë paqa, mirëqenia, harmonia, lumturia dhe begatia. Krishtlindjet për të gjithë ne paraqesin kohën e veçantë për lutje, dashuri dhe tolerancë, andaj uroj që shpërblimet e Krijuesit të ju gjejnë të gëzuar bashkarisht me familjarë, ta afërm, miq dhe dashamirë”, thuhej në urimin e kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusai-Lila./radiogjakova/