“Kryqi Kuq” shpërndan ndihma për nevojtarët
Kryqi i Kuq komunal në Gjakovë ka bërë të ditur se këto ditë në prag të festës, numri i familjeve nevojtare që kërkojnë ndihmë në këtë institucion është mjaft i madh. Për këtë, vullnetarët e Kryqit të Kuq janë angazhuar maksimalisht që të grumbullojnë e të shpërndajnë ndihma të ndryshme për familjet nevojtare.
Siç bën të ditur Dushe Lama, sekretare e Kryqit të Kuq në Gjakovë, gjatë tri ditëve të fundit janë dhënë shumë ndihma. Sipas saj, Kryqi i Kuq i Kosovës ka siguruar pako me ushqime, higjienë dhe veshmbathje për 10 familje, Klubi i Rotarianëve “Gjakova – Çabrati” ka siguruar 20 pako ushqimore, Caritas Kosova ka siguruar pako me veshmbathje e të tjera.
Ndihma kanë dhuruar edhe qytetarët në mënyrë individuale, siç është rasti me Butrint Zhubin që ka siguruar shumë dhurata për fëmijë. Sekretarja, Lama duke falënderuar të gjithë dhuruesit, por edhe vullnetarët për angazhimin e tyre në grumbullimin dhe shpërndarjen e ndihmave, ka apeluar tek institucionet, kompanitë dhe qytetarët që kanë mundësi, që edhe gjatë ditës së sotme të dhurojnë ndihma në mënyrë që edhe familjet nevojtare të kenë diçka në sofrën e tyre festive./radiogjakova/