Viti i Ri festohet në Gjakovë
Festa e ndërrimit të moteve si kudo në botë edhe në komunën e Gjakovës ka kaluar në atmosferë festive dhe me këmbimin e urimeve për një vit me shëndet të plot, punë, mirëqenie sociale, dashuri dhe paqe. Në këtë mbrëmje festive, për një çast i harruam problemet, vështirësitë dhe hallet e shumta me të cilat u ballafaquam gjatë vitit tashmë të vjetër 2014, për të festuar të gëzuar dhe të lumtur në natën e ndërrimit të moteve.
Disa qindra qytetarë kanë festuar nën qiell të hapur në ambientet festive të Namazgjahut, vend ku nuk ka pushuar kënga e vallja deri në orët e hershme të mëngjesit. Sipas informacioneve të para, nata e ndërrimit të moteve ka kaluar e qetë dhe pa incidentet theksuara.
Kusari-Lila viziton Policinë, Spitalin…
Pjesë e atmosferës festive në Namazgjah ka qenë edhe kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila e shoqëruar nga bashkëpunëtorët e saj. Ajo ka festuar bashkë me qytetarët për disa orë, ndërsa më vonë ka vizituar disa nga institucionet më vitale të Gjakovës, si policinë, spitalin “Isa Grezda”, repartin e Emergjencës dhe atë të Gjinekologjisë, Brigadën e zjarrfikësve e të tjera.
Esma, fëmija i parë në 2015-ën
Fëmija i parë i lindur në Vitin e ri në komunën e Gjakovës është vajzë. Në repartin e Gjinekologjisë në Spitalin “Isa Grezda” janë kujdesur për lidnje të shëndetëshme dhe përgëzime për të gjitha nënat dhe të posalindurit. Mamia e këtij reparti, Sakibe Muhaxhiri thotë se gjendja e foshnjës së parë të këtij viti dhe nënës është e mirë.
Zjarrëfikësit intervenojnë në dy raste
Nga ana tjetër, në brigadën e zjarrfikësve në Gjakovë, kanë bërë të ditur se nata e ndërrimit të moteve ka qenë jashtëzakonisht e qetë sa i përket zjarreve. Zjarrfikësit kanë intervenuar vetëm në dy raste të vogla, djegien e një oxhaku në qytet dhe të një pleme në njërin prej fshatrave të komunës sonë./radiogjakova/