.
Published On: Tue, Jan 6th, 2015

2015, Gjakova me buxhet prej 20 milionë euro

Share This
Tags

komuna-gjkKomuna e Gjakovës vitin 2015 e ka nisur me një buxhet në vlerë prej 20 milion e 269 mijë euro. Prej kësaj shume të hyrat nga grandi i qeverisë kapin shumën prej rreth 17 milion e 243 mijë euro, ndërkohë që mbi 3 milion euro janë mjete të parapara të realizohen nga të hyrat vetanake të komunës.

Sipas Teki Shalës, drejtor i Drejtorisë komunale për Buxhet e Financa në Gjakovë, buxheti i vitit në vijim është përgatitur sipas kategorive ekonomike buxhetore, ndërkohë që për herë të pare, ky buxhet është hartuar mbi bazën e buxhetimit gjinor, që nënkupton se gjatë financimit të projekteve të ndryshme kujdes i posaçëm do t’i kushtohet faktit që nga ky financim në mënyrë të barabartë të përfitojnë të dy gjinitë.

Në anën tjetër, sipas drejtorit Shala, gjatë vitit 2015 komuna për shkak të limiteve buxhetore, përkatësisht borxhit të madh të trashëguar gjatë viteve të kaluara, nuk do të jetë në gjendje t’i realizoi të gjitha kërkesat për projekte kapitale.

Në këtë drejtim prioritet do të kenë projektet e nisura në vitet e mëparshme si dhe projektet me bashkëfinancim, ndërkohë që  përparësi në realizimin e kërkesave për projekte të ndryshme do të kenë edhe rajonet, përkatësisht lagjet të cilat e kryejnë me rregull obligimin për tatimin në pronë./radiogjakova/