.
Published On: Fri, Jan 9th, 2015

Jabllanoviç: S’i kam quajtur egërsira gjakovarët, kam respekt për ta

Share This
Tags

jabllanovic-aleksanderMinistri për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviç në një intervistë për Radio Dukagjinin ka folur për herë të parë rreth deklaratave që pasuan protestën në Gjakovë.

Ai i kishte quajtur “egërsira” familjarët e personave të zhdukur shqiptarë, të cilët po mundoheshin ta pengonin vizitën e pelegrinëve serbë në këtë qytet me rastin e Krishtlindjes Ortodokse.
Ai thotë se me ketë term nuk i ka quajtur qytetarët e Gjakovës, por disa që kanë hedhur gurë ndaj pelegrinëve serb.

“Nuk i kam quajtur me këtë term (egërsira) qytetarët e Gjakovës për të cilët kam respekt, por i kam quajtur disa njerëz të cilët me gurë i kanë gjuajtur autobusët me serbët që atë ditë donin të vizitojnë një shenjtore”, tha ai.

Në vlerësimin se kjo deklaratë e tij cilësohet urrejtëse, Jabllanoviç tha se nuk ka qenë i informuar për numrin e madh të viktimave të luftës në këtë qytet.

“Jo, jo unë kam respekt për viktimat nga njëra dhe ana tjetër dhe të jem i sinqertë nuk kam ditur për humbjet katastrofike që kanë ndodhur në Gjakovë gjatë bombardimeve. Këtë e kam mësuar pas kësaj deklarate nga disa miq shqiptarë”.

Jabllanoviq ka mohuar që me ketë deklaratë t’i jetë adresuar nënave që gjatë luftës kanë humbur fëmijët e tyre.

“Është fakt se unë vij nga një familje patriarkale, i edukuar në frymën që fillimisht ta respektoj nënën time, e më pas të gjitha nënat. Egërsira nuk i kam quajtur nënat që kanë humbur fëmijët në luftë”.

I pyetur se si një ministër i adresohet Kosovës me termin Kosovë e Metohi, Jabllanoviç tha se këtë ja zënë për të madhe vetëm disa njerëz. Për të bërë një paralele, thotë se Leposaviqin, prej nga ai vjen, disa institucione e quajnë Albanik.

“Çdokush ka të drejtë të përdor terminologjinë që e konsideron të drejtë. Kjo është një nga të drejtat themelore demokratike. Për ne, institucionet e Kosovës thonë që jemi kosovar, ne themi se jemi Kosovci, dhe këto janë dallimet e parëndësishme mes nesh.

Me rëndësi është që ne punojmë për pajtimin e dy popujve dhe kjo është detyrë kryesore e kësaj qeverie dhe hyrjes sonë në të”.

Jabllanoviç nuk sheh arsye për reagimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me deklaratat e tij të fundit, meqë, siç thotë, me një deklaratë nuk mund të ofendohet një qytet i tërë. Ai thotë se ka pasur për qëllim të ofendoj dhe quaj me emër përbuzës ata që kishin hedhur gurë mbi autobusin. /rtk/