.
Published On: Sun, Jan 25th, 2015

Çaushi: Kusari-Lila të pozicionohet, ose me popullin ose me Jabllanoviçin

Share This
Tags

driton-caushiDriton Çaushi, koordinator i qendrës Vetëvendosje në Gjakovë, ka reaguar ndaj deklaratës së  kryetares së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, ku kjo e fundit ka akuzuar organizatorët e protestës për thyerjen e xhamave të qeverisë.

Çaushi thotë se deklarata e kryetares është tendencioze me qëllim të qartë për të sulmuar Vetëvendosjen.

“Çdo njeri që ka qenë në protestë e ka parë që aktivistët e VV janë përpjekur në maksimum për të ndaluar një grup të vogël huliganësh që të mos hedhin gurë”, ka thënë Çaushi.

Ja reagimi i plotë i Çaushit në Facebook:

Pas një deklarate tendencioze, me qëllim të qartë të sulmit politik, të Kryetares së Komunës së Gjakovës, znj. Kusari Lila në lidhje me protestën e organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe Thirrjet e Nënave në Prishtinë ndihem i obliguar që për hir të së vërtetës të përgjigjem këtu.

Znj. Kusari Lila nis postimin e saj në facebook duke thënë praktikisht se dëmtimi i prones publike dhe private nuk qojnë drejtë shkarkimit të Jabllanoviqit apo ndryshimit të ligjit për Trepçës.

Fillimisht, dy kërkesat e lartëpërmendura dihet fare mirë se janë të organizatorëve të protestës, Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Thirrjet e Nënave. Çdo njeri që ka marrë pjesë në protestë, apo i ka ndjekur mjetet e informimit e ka shumë të qartë se se me gjithë përpjekjet maksimale të aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ka qenë e pamundur që një grup i vogël i huliganëve të parandalohet në sulmet e tyre ndaj ndërtesës së qeverisë dhe pronës private. Nuk kam asnjë dyshim që edhe znj. Kusari Lila e ka këtë informacion. Ajo gjithashtu duhet të jetë e informuar se lënë anash aktet vandale të këtij grupi të vogël, protesta ishte madhështore në çdo aspekt të saj.

Më tutje, ajo deklaron se paknaqësia e qytetarëve nuk bën të kthehet në instrument të partive politike për të realizuar qëllimet politike.

Nuk është hera e parë që ajo lëshon deklarata të tilla dhe që s’kam se si ti kuptoj ndryshe përveq se sulme politike ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE!, si bashkëorganizatore e protestës. Nuk e kam ndërmend të sqaroj këtu diçka që znj. Kusari Lila fare mirë e di, e që ka të bëjë me qëndrimin konsistent të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe ndryshe nga të gjithë subjektet tjera ndaj çështjes së të pagjeturve. Ky fakt e bën këtë lloj vënje dyshimi edhe më të pamoralshme.

Në fund të deklaratës së saj ajo kërkon një distancim nga aktet e dhunës. Lëvizjes VETËVENDOSJE!, që është marrur me çështjet organizative të protestës e ka bërë një gjë të tillë menjëherë pas protestës. Edhe për këtë jam i sigurtë se znj. Kusari Lila është e informuar.

Në vend se të merret me sulme të tilla të ulëta unë këtu do kërkoja publikisht nga znj. Kusari Lila që përfundimisht të vendos se ku do pozicionohet në lidhje me shkarkimin e Jabllanoviqit, që është kërkesa e nënave dhe qytetarëve të Gjakovës dhe tërë Kosovës, pasi që një gjë të tillë e ka shmangur vazhdimisht.

Kërkoni shkarkimin e menjëhershëm të ministrit Jabllanoviq? Nëse po, pse nuk i keni mbështetur këto protesta dhe pse nuk jeni aty bashkë me qytetarët e komunës që ju drejtoni?

Në situatën në të cilën gjendemi rrugë të ndërmjetme nuk ka.

O do jeni ne anën e popullit, o do jeni në anën e atyre që mbrojnë fashistët.