Në pranverë fillon rinovimi i objektit të Kuvendit Komunal
Komisioni Evropian tashmë e ka miratuar projektin prej 1 milion euro për ndërtimin e objektit të administratës komunale, gjegjësisht të Kuvendit Komunal.
Këtë lajm e ka konfirmuar kryetarja e komunës Mimoza Kusari – Lila, e cila ka thënë se ka mbetur vetëm finalizimi dhe nënshkrimi i marrëveshjes, për punët që pritet të fillojnë në pranverën e sivjeme.
Ky projekt nënkupton renovimin e tërësishëm të objektit ekzistues dhe shtimin e një aneksi të ri, në lokacionin ku aktualisht ndodhet parkingu i komunës.
Sipas kryetares Kusari – Lila, fitimi i këtij projekti, konkretisht rindërtimi dhe ndërtimi i objektit të komunës është një lajm i mirë jo vetëm për punëtorët e administratës, por edhe për të gjithë qytetarët e komunës së Gjakovës. Sipas saj, në objektin e ri do të ketë kushte më të mira të punës që do të ndikojnë në ngritjen e performances.
Gjithashtu pritet të krijohet një mjedis më i përshtatshëm, më modern dhe më i automatizuar, për faktin se komuna e Gjakovës po synon të shkojë drejtë konceptit të një qyteti digjital, ashtu siç është synuar që prej ditëve të para.
Ndryshe, projekti për objektin e ri të administratës, është projekti i prezantuar në Konferencën e Donatorëve që është mbajtur vitin e kaluar./radiogjakova/










