Vazhdojnë punimet në pjesën e ish-kazermës
Ndonëse ka disa muaj që kanë nisur, ende janë duke vazhduar punimet për pastrimin e parkut qendror të qytetit, konkretisht lokacionit të ish – kazermës jugosllave. Sipas zyrtarëve komunal, deri më tani është bërë heqja e mbeturinave dhe barishteve tjera e gjithashtu është punuar edhe në rrënimin e 9 objekteve, të cilat nga ekspertët janë konsideruar si të dëmtuara dhe të pa-renovueshme.
Megjithatë, sipas këtyre zyrtarëve, të paktën dy objekte do të vazhdojnë të jenë në funksion, e të cilët pas restaurimit do të mund të përdoren për qëllime të ndryshme. Në njërin prej këtyre objekteve pritet të kaloj drejtoria komunale për Kadastër dhe Gjeodezi, e cila aktualisht është duke vepruar në objektin e ish – Bankosit.
Ndërsa për objektin tjetër, konkretisht ish – objektin e shkollës së muzikës, zyrtarët komunal kanë thënë se po parashihet që pas restaurimit të përdoret për nevojat e komunës dhe institucioneve tjera joqeveritare.
Prandaj, zyrtarët komunal kanë bërë të ditur se janë duke zhvilluar negociata me donator të ndryshëm edhe për renovimin e këtyre objekteve e po ashtu edhe për rregullimin e trotuarit dhe shtegut për biçiklistë buzë rrugës së UÇK-së./radiogjakova/