.
Published On: Sat, Feb 7th, 2015

Dorëhiqen rektori e prorektorët e Universitetit të Gjakovës

Share This
Tags

univers-gjk-fehmi-aganiUniversiteti i Gjakovës ka mbetur pa menaxhment. Rektori Bajram Nura dhe prorektorët Kastriot Buza e Gazmend Qorraj kanë dhënë dorëheqje, ka thënë një burim i gazetës Koha Ditore.

Sipas këtij burimi, sebep i dorëheqjeve është bërë vendimi i rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, për ndryshimin e statusit financiar dhe akademik të një pjese të stafit.

“Pikërisht për shkak të angazhimeve në Universitet të Gjakovës, njëanshëm iu është ndërrua statusi i marrëdhënies së punës në UP, e që ka pasuar edhe me ndërprerje të pagave nga muaji dhjetor 2014”, ka thënë ky burim. “Në letrën e dorëheqjes, rektori dhe prorektorët kanë thënë se vendimin e kanë marrë kundër vullnetit të tyre, ngaqë e kanë parë si mundësi të vetme për ta rikthyer statusin e mëhershëm në UP”.

Vendimi që Zejnullahu e ka firmosur në tetorin e vjetëm, midis tjerash parasheh që “Personeli akademik i cili përcaktohet për marrëdhënie të rregullt pune me pagë primare në një institucion tjetër jashtë UP-së, nga Universiteti i Prishtinës do të kompensohet vetëm për orët e mbajtura gjatë periudhës semestrale, në cilësi të bashkëpunëtorit të jashtëm, por jo më shumë se fondi i orëve të honorarit i përcaktuar sipas Rregullores në fuqi për të ardhurat personale të personelit akademik të UP-së”.

Inspektorati i Punës ka vendosur se vendimi është i jashtëligjshëm, ngaqë ka konsideruar se profesorët kanë të drejtë të realizojnë edhe një marrëdhënie pune me gjysmënormë në një institucion jashtë UP-së. Zejnullahu ka refuzuar deri tash ta implementojë vendimin Inspektoratit./koha/