Shiten biletat për koncertin e Alban Skenderajt
Dy ditë pasi kanë dalë në treg, janë shitur të gjitha biletat për koncertin recital “Tingujt e Ditarit Tim” të kantautorit Alban Skenderaj, koncert i cili do të mbahet më 17 shkurt në Gjakovë.
Kjo e dëshmon interesimin e madh, jo vetëm të qytetarëve të Gjakovës për këtë koncert, interesim që gjithashtu po vazhdon të mbretërojë edhe më tej. Për këtë është përmendur mundësia që i njëjti koncert të shfaqet për dy net radhazi, me 17 dhe 18 shkurt, por janë shpenzimet e mëdha financiare ato që mund ta pengojnë një ide të tillë.
E përderisa adhuruesit e Alban Skenderajt mezi po presin që ta shohin atë në skenën e Gjakovës, ka qenë vet këngëtari që është shprehur i entuziazmuar me faktin se do të përformojë në Gjakovë, në një qytet që ai e vlerëson shumë.
“Ndihem i nderuar që si datë e koncertit është zgjedhur dita e Pavarësisë së Kosovës, 17 Shkurti. Me këtë rast do të ndajmë së bashku gëzimin kulmor të një dite të shënuar ku muzika dhe vlerat kombëtare do të shkrihen në njëra tjetrën dhe do të përcillen në mënyrë të mirëfilltë dhe me një cilësi të lartë të një publiku me të vërtetë artdashës”, ka thënë Skenderaj në profilin e tij në Facebook./radiogjakova