UGJ “Fehmi Agani” synon të konkurojë universitetet perëndimore
Profesor, udhëheqës arsimor, asistent, studentë e figura të larta të politikës, arsimit, shkencës, kulturës dhe artit, nga Gjakova e qendra tjera të Kosovës, bashkërisht kanë kremtuar dy vjetorin e themelimit të Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”.
E para e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se më shumë se asnjëherë tjetër, ndjejmë frytet e kontributeve të gjeneratave të tëra për avancimin e arsimit si në Komunën e Gjakovës , ashtu edhe të gjitha trevave shqiptare.
“Rëndësia e këtij Universiteti, për Gjakovën është shumë domethënëse, pasi që nga ky vend shumë mësues, profesorë dhe intelektual përhapen shkëndijat e para të dijes gjithë andej trojeve shqiptare. Duke kujtuar këtë rrugëtim, pesha e përgjegjësisë normalisht që bie në të sotmen e cila padyshim se do të jetë nxitës i së nesërmes për shumë student të cilët do i kontribuojnë vendit tonë.”, ka thënë Kusari-Lila.
Prof. Dr. Hasan Muja, ud. i Rektorit të Universitetit në Gjakovë, ka paraqitur një historik të shkurtër të zhvillimit të shkollimit të Lartë në Gjakovë, që nga themelimi i SHLP “ Bajram Curri”, e deri tani me themelimin e Universitetit “ Fehmi Agani” në Gjakovë.
Muja, ka thënë se ne po punojmë që sa më shumë të krijojmë programe me fakultete të reja të nevojshme dhe të lidhura me ekonomin dhe tregun e punës. Si komponent i veçantë i Universitetit “ Fehmi Agani”, mbetet ngritja e cilësisë, duke qenë konkurrentë me universitetet tjera jashtë vendit.
Në ketë dy vjetor janë ndarë mirënjohje për kontribuesit e themelimit të Universitetit, ku ndër të parët me mirënjohje u nderua kryetarja e Komunës Mimoza Kusari-Lila, ish Rektori prof.dr. Bajram Nura, prof.dr. Isa Elezaj, prof. Dr Kastriot Buza, dr. Gazmend Qorraj dhe ish dekani i Fakultetit të Mjekësisë dr. Ali Ilajazi.