.
Published On: Mon, Mar 9th, 2015

Për tre muaj braktisën mësimin mbi 320 nxënës

Share This
Tags

komiteti-per-komuniteteKomiteti për Komunitete e Kuvendit të Komunës së Gjakovës, nën kryesimin e Elvane Qorrit, ka mbajtur mbledhjen e tretë për këtë vit. Armend Vokshi, drejtor i Drejtorisë së Administratës së Përgjithshme dhe të Personelit, ka njoftuar anëtarët e Komitetit për Komunitete mbi çështjen e regjistrimit civil të komuniteteve romë, ashkalinjë dhe egjiptian në komunën e Gjakovës, ku përmes fushatës njëmuajshe për regjistrimin falas ka ndikuar që të ketë rritje në mbi 20% të të regjistruarve të komunitetit RAE.

Vokshi ka pohuar se në vitin 2014 është evidentuar një dukuri, ku qytetarë të të gjitha komuniteteve kanë mënjanuar regjistrimin e të lindurve pasi nuk kanë qenë të informuar se pos në spital, regjistrimin duhet ta bëjnë edhe në Kuvendin e Komunës. Mu për këtë, ka theksuar Vokshi, jemi duke e shikuar mundësinë që të hapim një zyrë të gjendjes civile në spital, ku do të dërgohej një zyrtarë apo zyrtare që të bëjnë edhe regjistrimin në gjendjen civile, dhe kësisoj besohet se do të shmangen regjistrimet e mëvonshme.

Diana Çarkaxhia, drejtore e Drejtorisë për Arsim ka ofruar të dhëna rreth arsimit të obliguar dhe arsimit joformal të komuniteteve romë, ashkalinjë dhe egjiptasë, ku ka njoftuar se brenda pak ditësh pritet konfirmimi me shkrim nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për ofrimin e mësimit joformal në shkollën e mesme “Nexhmedin Nixha” dhe në shkollën fillor “Mustafa Bakija”.

Drejtoresha Diana Çarkaxhia ka njoftuar se nga muaji tetor deri në fillim të muajit janar për arsye migrimi mësimin në komunën e Gjakovës e kanë braktisur 321 nxënës, prej tyre vetëm shtatë kanë qenë nxënës të shkollës së mesme. Duke mos dëshiruar që t’u humbet viti shkollor, Drejtoria e Arsimit ka ofruar rekomandime, ku nxënësit që kanë braktisur mësimin në gjysëmvjetorin e parë të mos mbeten të pa notuar.

Rekomandim tjetër ka qenë që nxënësit të cilët kthehen deri në muajin mars të kyçen në mësimin e rregullt, ndërsa ata të cilët kthehen pas këtij muaji, atëherë do të kenë mësim shtesë dhe testime, të cilët do të mund të kryenin vitin shkollor në muajin gusht. Aktualisht mësim shtesë është duke u mbajtur në shkollën fillore “Zekeria Rexha”, ku është siguruar transporti dhe ushqimi për nxënësit.