Mes polemikash pritet të rifillojnë punimet për kompleksin e Koshares
Këto ditë pritet të vazhdojnë punimet për ndërtimin e kompleksit memorial në Koshare, pikërisht në vendin ku kanë qenë varrezat e dëshmorëve të Betejës së Koshares. Fillimisht nga ai vend ishin zhvarrosur të gjithë trupat e dëshmorëve, të cilët ishin dërguar në morgun e Prishtinës, deri në rregullimin përfundimtar të varrezave të reja dhe bashkë me to edhe të kompleksit memorial.
Tashmë trupat janë rikthyer në vendin e vet, ndërsa janë rregulluar edhe varrezat. E ndonëse është një vend me rëndësi të madhe historike, projekti për kompleksin memorial në Koshare ka filluar pa ndonjë konsultim apo pa ndonjë dëgjim publik. Përderisa zyrtarët përkatës qeveritar thonë se vendi po ndërtohet ashtu siç e meriton, njerëz tjerë po ankohen se jo gjithçka është në rregull me këto punime.
Disa qytetarë janë ankuar se kompleksi është duke ju nënshtruar një betonizimi të tepruar, gjë që po ja humb karakterin dhe bukurinë kësaj pjese. Ndërkohë, punët nuk janë mirë as me rrugën që të shpije në Koshare, konkretisht në varrezat e dëshmorëve. Rruga e nisur tash e 10 vjet, tashmë është shembur në disa vende, duke u bërë kështu e pakalueshme të paktën në një pikë të saj./radiogjakova/
Foto: Arkiv nga nisja e ndërtimeve