Shkolla Fillore “Yll Morina” shënon ditën e shkollës
Me një program artistik, është shënuar sot Dita e Shkollës Fillore “Yll Morina”, ditë që përkon edhe me përvjetorin e rënies së dëshmorit Yll Morina. Me një fjalë rasti në emër të kryetares së komunës Mimoza Kusari–Lila, ka folur drejtori i Administratës së Përgjithshme, Armend Vokshi, i cili e ka vlerësuar lartë kontributin dhe sakrificën e dëshmorit Yll Morina. Vokshi, ka thënë se qytetarët e komunës së Gjakovës e kanë ende të freskët ditën kur u dha lajmi i hidhur për rënien heroike të Yll Morinës, megjithatë po e njëjta ditë dhe vet sakrifica e dëshmorit do të mbetet e freskët dhe do të përkujtohet me nderimin dhe respektin më të lartë nga brezat e ardhshëm. Drejtori Vokshi gjithashtu ka shtuar se për Shkollën “Yll Morina” është nderë dhe privilegj ta mbajnë emrin e dëshmorit prandaj për këtë u mbetet menaxhmentit dhe trupës arsimore që të punojnë me përkushtim që duke rreshtuar sukseset e shkollës, ta ngritin lartë emrin e dëshmorit Yll Morina. Në këtë aktivitet krahas programit aktivitetit kulturor e artistik, të përgatitur me shumë zell e dashuri nga vet nxënësit, kanë folur edhe ushtruesja e detyrës së
drejtoreshës së shkollës Arjana Zhubi, përfaqësues të drejtorisë komunale të arsimit si dhe përfaqësues të veteranëve të luftës së UÇK-së, konkretisht Shpend Lleshi, bashkëluftëtari i dëshmorit Yll Morina.










