.
Published On: Wed, Sep 14th, 2016

Maratona e Malësisë së Gjakovës përkrahet nga institucionet sportive

Share This
Tags

Këshilli organizativ i maratonës së Malësisë së Gjakovës, te marten, ka pasur një takim me përfaqësues të institucioneve sportive dhe federatave të atletikës nga Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, takim në të cilin është diskutuar për përgatitjet që po zhvillohen për organizimin e kësaj maratone që mbahet më 15 tetor. Kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari Lila si organizatore e maratonës, ka thënë se përveç aspektit sportiv, ky aktivitet ka për qëllim edhe zhvillimin dhe promovimin e përbashkët ekonomik e turistik të Gjakovës dhe Malësisë së Gjakovës si një zonë e përbashkët në të dy shtetet, gjithashtu edhe promovimin dhe mirëmbajtjen e resurseve natyrore të kësaj zone, që fatmirësisht janë të bollshme dhe shumë të mira. Ajo ka shtuar se ky aktivitet që sivjet po mbahet për herë të parë, synon që në të ardhmen të shndërrohet në tradicional dhe kështu të jetësojë ëndrrat dhe dëshirat e hershme për bashkërendim dhe bashkëpunim në mes të njerëzve nga të dyja anët e kufirit. Kjo iniciativë është përkrahur edhe nga përfaqësues tjerë pjesëmarrës. Kryetari i Federatës së Atletikës së Kosovës, Halil Sulejmani ka bërë të ditur se kjo federatë do ta përkrahë maratonën në pjesën profesionale e teknike, përmes gjyqtarëve edhe ekipeve tjera profesionale të federatës. Ndërkohë, përkrahje për këtë organizim ka ardhur edhe nga Federata Shqiptare e Atletikës, përmes kryetarit të saj Gjergj Ruli. Ai ka thënë se do të angazhohet në sigurimin e atletëve jo vetëm në Shqipëri, por edhe nga vendet tjera. Maratona mbështetje, ka marrë edhe nga komiteti olimpik i Kosovës dhe Ministria e Sporteve. Këta të fundit janë zotuar se do të përkrahin këtë maraton edhe materialisht.