Arrin kontingjenti i dytë i vaksinave kundër gripit sezonal
Pas përpjekjeve të vazhdueshme dhe kërkesave të njëpasnjëshme në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë, ka arritur kontingjenti i dytë i vaksinave kundër gripit sezonal. Violeta Xërxa-Thaqi, drejtoreshë, tha se sasia e vaksinave është 2 mijë copë sikurse edhe në kontingjentin e parë. Vaksinat pos në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, janë shpërndarë edhe në Qendrat tjera të mjekësisë primare në Gjakovë. Sipas drejtoreshës Thaqi, vaksinat kundër gripit janë të dedikuara kryesisht për persona të moshës së tretë, si dhe për persona me sëmundje kronike, shëndeti i të të cilëve është më i rrezikuar në rastet eventuale të epidemisë së gripit. Ndryshe, për marrjen e kësaj vaksine mbahet një evidencë e saktë dhe personat që aplikojnë duhet të jenë të pajisur me leje të njoftimit.