Ambasadorja Viets rikonfirmon përkrahjen gjermane për komunën e Gjakovës
Ambasadorja gjermane në Kosovë Angelika Viets ka thënë se komuna e Gjakovës është një shembull i shkëlqyer i qeverisjes së mirë, prandaj edhe ndjehet e lumtur që qeveria gjermane përkrahë në vazhdimësi projektet për zhvillimin e kësaj komune. Ajo ka rikonfirmuar se përkrahja gjermane për komunën e Gjakovës do të vazhdojë edhe në të ardhmen, qoftë me vazhdimin e projekteve ekzistuese, qoftë me inicimin e projekteve të reja, të bazuara në kërkesat dhe nevojat e komunës së Gjakovës. Në kuadër të kësaj, ambasadorja Viets ka bërë të ditur se ambasada gjermane do ta vazhdojë ta përkrahë Akademinë Evropiane të muzikës ESMA, e cila edhe sivjet është caktuar të mbahet në Gjakovë.
Gjatë takimit me kryetaren e komunës Mimoza Kusari Lila, ambasadorja Viets është interesuar edhe rreth angazhimeve për zhvillimin ekonomik lokal, konkretisht ngritjes së zonës industriale. Ajo është njoftuar për diskutimet pothuajse në përfundim në mes të komunës, Agjencinë Kosovar të Privatizimit dhe përfaqësuesve të Shoqërive Aksionare të Gjakovës për marrjen në shfrytëzim të pronës së këtyre shoqërive, me qëllim të ngritjes së Zonës Industriale. Lidhur me këtë, ambasadorja Viets është interesuar të dijë për planet e komunës në lidhje me këtë projekt, ndërsa që është ndarë e kënaqur me këto plane dhe ide të paraqitura gjatë këtij takimi.










