.
Published On: Sat, Jan 21st, 2017

Familjarët e të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë kërkojnë që fati i përsonave të pagjetur të jetë temë e bisedimeve në Bruksel

Share This
Tags

Familjarët e të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë kërkojnë që fati i të afërmve të tyre të pagjetur të jetë temë e bisedimeve në Bruksel, ndërkohë që kanë akuzuar institucionet që po heshtin totalisht për këtë çështje. Kryetarja e shoqatës Thirrjet e Nënave, Nysrete Kumnova ka thënë se shumë prindër kanë ndërruar jetë në pritje të zbardhjes së fatit të fëmijëve të tyre, të rrëmbyer nga forcat serbe dhe të zhdukur po nga ta. “Ne duam që çështja e të pagjeturve të ngrihet edhe në Bruksel”, ka thënë ajo e mllefosur me institucionet që nuk po e trajtojnë këtë çështje. “Institucionet tona po heshtin totalisht për këtë çështje, ata vetëm po na lyejnë ‘kokën me akull’ dhe nuk ka asgjë”, ka thënë ndër të tjera Kumnova. Në Kosovë llogariten ende si të pagjetur 1 mijë e 660 persona, prej tyre 75 për qind shqiptarë dhe të tjerët minoritete. Disa vende janë të identifikuara si në Kosovë, po ashtu edhe në Serbi të dyshuara si varreza masive. Në këto vende të dyshuara Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur ka konfirmuar se nuk janë bërë as gërmime vlerësuese. Sipas anëtarëve të këtij Komisioni, zbardhja e fatit të të pagjeturve po zvarritet nga Beogradi.