Tullumi: Mungesa e dokumentacionit të pronave, krijon hapsirë për prezencën e dokumenteve të falsifikuara
“Mungesa e dokumentacionit të kompletuar e pronave, vazhdon të krijoi telashe për zyrtarët e Drejtorisë komunale për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Gjakovë, meqë një gjë e tillë krijon hapsirë për prezencën e dokumenteve të falsifikuara” – ka thënë për Radio Gjakovën, drejtori Skënder Tullumi. Sipas tij, kjo si dhe numri i madh i lëndëve përkatësisht kërkesave për tu trajtuar, ka bërë që gjatë vitit 2016, zyrtarët e kësaj drejtorie të jenë të angazhuar maksimalisht për të realizuar me përpikmëri një numër shumë të madh të shërbimeve karshi kërkesave të qytetarëve dhe institucioneve. Tullumi ka thenë se gjatë vitit të cilin sapo e lëmë pas, në Drejtorinë komunale për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Gjakovë, janë realizuar rreth 7 mijë qertifikata pronësie, kopje plani dhe vërtetime të ndryshme, pastaj rreth 60 historiate të parcelave, si dhe shumë regjistrime të kontratave, ekspertiza gjyqësore, regjistrime të hipotekave e të tjera.
Përkundër të arriturave të shumta gjatë vitit të kaluar,Tullumi, ka potencuar çështjën e numrit jo të mjaftueshëm të kuadrit si dhe problemet nga mungesa e dokumentacionit.
Ndryshe, viti 2016 për Drejtorinë komunale për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Gjakovë, është i veçantë nga shkaku se gjatë këtij viti, kjo drejtori është vendosur
në objektin e ri i cili ndodhet në hapsirat e ish kazermës ushtarake dhe i cili, i ndërtuar sipas përformancave bashkëkohore, krijon mundësi për një punë më të mire dhe më efikase të zyrtarëve të kësaj drejtorie.










