.
Published On: Sat, Jan 28th, 2017

UPGJ “Fehmi Agani” organizon ceremoninë e diplomimit të studentëve të gjeneratës së parë

Share This
Tags

Brezi i parë i të diplomuarve në Universitetin Publik të Gjakovës “Fehmi Agani” të hënën solemnisht do të marrin diplomat. Me këtë rast do të organizohet ceremonia e diplomimit të studentëve të parë. Kjo vatër e arsimit të lartë, që bazën e ka në traditën e lashtë të popullit arsimdashës të Gjakovës, ka filluar punën në vitin e parë akademik 2013/2014. Më saktë, Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” ka filluar punën me 1 tetor 2013 me Fakultetin e Edukimit me programet Parashkollor dhe Fillor, Fakultetin e Mjekësisë me programet Infermieri dhe Mami dhe Fakultetin e Filologjisë me programet Gjuhë Shqipe dhe Gjuhë dhe Letërsi angleze, ndërsa aktualisht në këtë universitet veprojnë tri fakultete: Fakulteti i Edukimit, ai Filologjik si dhe Fakulteti i Mjekësisë. Në amfiteatrot e Universitet të Gjakovës dhe hapësirat tjera, laborator dhe ushtrimore brenda tij, studimet i vijojnë rreth 2 mijë e 800 studentë, prej të cilëve rreth 600 është numri i studentëve të cilët këtë vit e kanë filluar vitin e parë të studimeve. Do të jetë kjo një festë e madhe e studentëve, edukatorëve e profesorëve të ardhshëm të cilët me mësimet dhe idetë e reja pritet të jenë një krenari për vendin dhe një shtytje zhvillimit të përgjithshëm. Ceremonia e diplomimit të studentëve të gjeneratës së parë, në të cilën janë ftuar të marrin pjesë edhe krerët më të lartë Institucional mbahet, të hënën, me 30 janar në orën 11:00 në Sallën koncertale të Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” ne Gjakovë.