Përkujtuan 27 dëshmorët dhe 3 martirët e rënë në janar të vitit 1999 në fshatrat Bishtazhin, Goden dhe Rogovë
Në Rogovë të Hasit u përkujtuan 27 dëshmorët dhe 3 martirët e rënë me 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999 në fshatrat Bishtazhin, Goden dhe Rogovë. Ceremonia përkujtimore e shënimit të 18 vjetorit të Epopesë së Rogovës ka nisur me homazhe dhe nderime në varrezat e dëshmorëve në Rogovë të Hasit, ndërsa është mbajtur edhe një akademi solemne në Sallën Universale të Pallatit të Kulturës “Arsim Vokshi” në Gjakovë.
Këto aktivitete janë organizuar nën patronatin e kryetares së komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, e cila në fjalën e saj gjatë homazheve në varrezat e dëshmorëve në Rogovë të Hasit ka thënë se elitës politike dhe bashkëluftëtarëve të këtyre dëshmorëve, u mbetet shumë punë e angazhim në mënyrë që Kosova të bëhet një vend më i mirë për qytetarët e vet, dëshirë kjo edhe e të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit. Kryetarja Kusari – Lila ka shtuar se nëse dikur patriotizëm ka qenë të luftohet e të vdiset për liri, sot patriotizëm është të punohet ndershëm për të mirën e vendit dhe brezave të ardhshëm.
Ndryshe, po në këtë ditë është bërë edhe inaugurimi i Kompleksit Memorial të dëshmorëve në fshatin Rogovë, një investim ky tërësisht i komunës së Gjakovës.
Lidhur me këtë, kryetarja Kusari – Lila ka thënë se komuna e Gjakovës me aq sa ka mundësi është duke investuar në rregullimin e varrezave të dëshmorëve, lapidarëve dhe vendeve tjera të kësaj kategorie, me të vetmin qëllim që kështu të nderojë deri në fund kontributin dhe sakrificën e të gjithë të rënëve për liri. Ndryshe, rënja e këtyre dëshmorëve, ishte humbja më madhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në Rrafshin e Dukagjinit, pasi në këtë grup, ishin disa nga udhëheqësit më të mirë të luftës, në mesin e tyre edhe komandantët e shquar në rrafshin e Dukagjinit Agron Rama e Agim Zeneli.