Teatri i Gjakovës inskenon premierën e parë për këtë vit
Teatri i qytetit të Gjakovës do të nisë përgatitjet për premierën e re, të parën për këtë vit. Bëhet fjalë për veprën “Martir” të autorit gjerman Marius von Mayenberg. Regjinë e kësaj drame do ta bëjë Fatos Berisha, i cili tashmë është përcaktuar edhe për aktorët që do të luajnë në këtë dramë.
Në fakt vepra “Martir” ishte si alternativë, pasi më parë ishte menduar që si premierë e parë të realizohet drama “Edmond” e autorit David Mamet. Mirëpo më pas është vendosur për veprën tjetër për shkak të kostos së lartë që drama Edmond mund të merrte pasi në të duhej të angazhoheshin 24 aktorë.
Drejtori i Teatrit, Edi Kastrati, tha se edhe kjo dramë do të tërheqë vëmendjen e publikut për shkak të temës e cila sipas tij është aktuale në mbarë botën, pasi bëhet fjalë për ekstremizmin fetar. Ai tha se s’ka dyshim që kjo dramë do të realizohet me sukses pasi është angazhuar regjisori Berisha i cili ka një bagazh të madh me punë në teatër dhe film dhe pret që kjo dramë të jetë jashtëzakonisht e suksesshme pasi edhe ekipi realizues është shumë i mirë.
Regjisori Berisha për këtë shfaqje ka angazhuar aktorët Besfort Berberi, Ylber Mehmeti, Edmond Hafizademi, Ahmet Bakija, Myrvete Kurtishi, Muradije Muriqi, Vlera Pylla, Bujar Ahmeti, Yllka Lota dhe Arbies Komoni. Kjo trupë e aktorëve është zgjedhur pas një audicioni që është mbajtur për tri ditë rresht, ka thënë Kastrati.