Lamtumirë Hadi Shehu
Gjakova dhe gjithë adhuruesit e artit skenik dhe të filmit e kanë ndjerë rëndë ndarjen nga jeta të ikonës së teatrit dhe filmit Hadi Shehu i cili ka ndërruar jetë dje ( te dielen) pas një sëmundje, në moshën 68 vjeçare. Hadi Shehu që ishte dhe mbetet nje artist qe shenjë mbrojtëse kishte suksesin për aktrimin, skenën, artin skenik dhe filmin. Sa herë ka interpretuar role nga më të ndryshmet, ka arritur të sjellë në skenë personazhe të ‘gjalla’ të shfaqjeve teatrore apo edhe të filmave. Sulejman Vokshin, Bajram Currin, Betim Kosovën dhe qindra personazhe, fal interpretimit, emocionit dhe shkathtësisë i ka sjellë para artdashësve me gjithë madhështinë e tyre.
Shehu ishte një burrë me zemër të madhe sa Gjakova, me dashurinë për Kosovën dhe shqiptarinë. E nisi karrierën si një djalë i talentuar, një artist i rrallë me shumë role dhe nuk iu nda skenës as nga ‘tërmetet’ shëndetësore.
Gjatë viteve të ish Jugosllavisë është nderuar me çmime të ndryshme, të tilla si: “Shpërblimi i Dhjetorit”, “Medalja e Punës”, “Çmimi për të Arriturat Artistike” për rolin e Betim Kosovës në filmin “Kur pranvera vonohet”, “Shenja e Artë” në Trebinje, si dhe me mirënjohje të shumta në festivale të ndryshme. Në vitet e pasluftës është nderuar me shumë çmime: “Çmimi për Vepër Jetësore” më 2005 nga Kuvendi Komunal i Gjakovës, “Statuja e Nënë Terezës” në spektaklin televiziv “Me shumë dashuri” më 2008 në Tiranë , “Medalja Presidenciale e Meritave” në vitin 2013 nga Presidenca e Republikës së Kosovës, “Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore” më 2012 nga Ministria e Kultures Rinisë dhe Sporteve si dhe çmime e mirënjohje të shumta.
Familjes Shehu dhe Teatrit te Gjakoves, me rastin e vdekjes së Hadi Shehut telegrame ngushëllimi kanë shprehur i tërë komuniteti artistik, drejtues të lartë të institucioneve shtetërore, përfaqësues të subjekteve politike e qytetar nga të gjitha këndet e botës.
Me rastin e vdekjes së Hadi Shehut sot (te henen) u mbajt mbledhje komemorative e cila ka nisur e mbaruar me duartrokitje të gjata, në sallën e madhe të Teatrit të Gjakovës, sepse kështu gjithë jetën skenike e kaloi aktori i përmasave kombëtare. Fillimisht në emër të Ansamblit të teatrit të qytetit foli aktorja Muradije Muriqi e cila tha se breza të tërë aktorësh që luajtën në këtë skenë, kanë marrë diçka të Hadi Shehu.
Rexhisori i njohur Haqif Mulliqi ka thënë se Hadi Shehu është i pazëvëndësueshëm dhe lider i jetës artistike tek ne.
Në mbledhjën koomemorative pas ndarjës nga jeta të aktorit Hadi Shehu, ka marrë pjesë edhe regjisori nga Tirana, Gëzim Kame, i cili është shprehur se Hadiu ka qenë model i artistit te madh por edhe i njeriut të mirë kudo që ishte.
Kurse regjisori i njohur Ekrem Kryeziu i cili realizoi një varg projektesh skenike e filmike me Hadi Shehun, ka thënë se nisur nga vlerat e mëdha që i ka dhënë kësaj skene tash e tutje Teatri i Gjakovë duhet ta mbajë emrin e Hadi Shehut.
Në emër të Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës par ate pranishmive u prezantua Bekim Lumi, i cili ka folur per madhështine e figurës se Hadi Shehut.
Në emër të familjes pjesëmarrësit në këtë mbledhje komemorative falenderoi i biri, Betim Shehu.
Pas mbledhjes komemorative, në foajenë e Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, qytetarë të shumtë nga të gjitha viset shqiptare, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora me lule prane arkivolit të aktorit Hadi Shehu. Varrimi i tij u bë sot me nderime te larta, me pjesemarrjen e mijera qytetareve, në varrezat e qytetit në Gjakovë.