Jehonë kënga korçare në Gjakovë
Kënga korçare ka jehuar te enjten mbrëma në skenën e Shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë. Aromen e Korces në Gjakovë e sollën këngëtarët: Spanja Pipa dhe Vaskë Jani, të shoqëruar nga ansambli instrumental i përbërë nga Josif Minga – fizarmonikë, Tomor Selimi kitar dhe Agron Murati- llaudë. Gjatë koncertit këndoi edhe publiku gjakovar që edhe me këtë rast shprehu dashurinë për muzikën korçare. Befasi e këndshme padyshim se ishte këngëtarja e shquar që merret edhe si identifikuese e këngëve korçare tash gati 80 vjeçare që me aq sukses interpretoi këngë në shtrirje kohore gati 100 vjeçare. Disa nga këto këngë u dëgjuan për herë të parë. Për të ishte ëndërr vizita në Gjakovë.
“U mrekullova me këtë ambient dhe me këtë publik. Kam ëndërruar të vijë në Gjakovë. E pash se sa të dashura janë serenatat korçare për këtë qytet që më pëlqeu shumë dhe që kishte ngjashmëri me Korçën” tha Pipa duke shtuar se Serenatat i janë kushtuar tërsisht dashurisë.
Në fund të koncertit, me kërkesën e ansamblit korçar, në skenë u ngrit edhe doajeni i këngës shqipe Ismet Peja i cili për të respektuar mysafirët këndoi disa këngë korçare që u shoqëruan nga ansambli dhe publiku në sallë.
Kompozitori i njohur Josif Minga që kishte përgatitur dhe udhëhequr në mënyrë artistike këtë koncert tha se kanë kaluar një mbrëmje të këndshme në qytetin e këngës në Gjakovë. Koncerti me titull “Nostalgjia e këngës Korçare” u organizua nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë në bashkëpunim me Komunën e Gjakovës. Për kënaqësinë që sollën në Gjakovë me një numër të madh të interpretimeve të këngëve , artistët korçar në fund u përcollën me duartrokitje dhe lule të freskëta.