.
Published On: Thu, Apr 6th, 2017

Ministri Shala viziton “Radoniqin”, premton mbështetje

Share This
Tags

Ministri i Mjedisit, Ferat Shala, vizitoi Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Radoniqi” në Gjakovë. Nga menaxhmenti i kësaj ndërmarrje, ai u njoftua me të arriturat, sfidat, por mori edhe kërkesa për investime, për të mundësuar rritjen e kapaciteteve dhe ofrimin e shërbimeve edhe më të mira për qytetarët.

Ministri Shala ka lavdëruar punën në këtë ndërmarrje, por njëkohësisht ka ofruar mbështetjen e ministrisë për këtë kompani që, sipas tij është ndër më të mirat në vend. Ai deklaroi se Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor për vitet e ardhshme ka prioritet problematikat në sektorin e ujit dhe trajtimin e ujërave të zeza, andaj edhe për këtë arsye kjo ministri do të mbështes ndërmarrjet që ofrojnë këto shërbime.

Drejtori i KRU “Radoniqi”, Ismet Ahmeti, ka njoftuar se kompania që drejton po punon maksimalisht që konsumatorët të kenë në vazhdimësi ujë cilësor dhe që të kënaqin me shërbime.

Po ashtu Ahmeti e ka njoftuar ministrin Shala me projektet që janë duke u realizuar në këtë kompani, në rritjen e kapaciteteve për furnizim me ujë të pijes, por edhe trajtimin e ujërave të zeza. Por, kërkoi nga ministri Shala që të mbështesë projektet që janë në planet e KRU “Radoniqi”.

Pas bisedës me menaxhmentin e kësaj kompanie, ministri Shala ka vizituar kanalin derivues në Ratish të Komunës së Deçanit, projekt i financuar nga kjo ministri pastaj edhe stacionin e filtrave, ku është njohur me ritmet e punës në ndërtimin e fabrikës së re nga e cila do të prodhohen edhe 500 litra ujë në sekondë.