.
Published On: Fri, May 26th, 2017

“Rrëmujë” dhe të qeshura në “Zëra pas skene”

Share This
Tags

Teatri i Qytetit të Gjakovës solli premierën e komedisë “Zëra pas skene” të Michael Frayn. Në këtë shfaqje, Frayn luan me konceptin e “shfaqjes brenda shfaqjes”, që në këtë rast shfaqja në shfaqje quhet “Asgjë veshur”.

Garry (Edmond Hafizademi), Dotty (Myrvete Kurtishi), Belinda (Vlera Pylla), Frederick (Valon Pallaska), Brooke (Yllka Lota) dhe Selsdon (Ylber Mehmeti) janë kasti i zgjedhur aktorësh nga Lloyd (Bujar Ahmeti) për të vënë “në jetë” shfaqjen “Asgjë veshur”. Lloyd ndihmohet nga asistentja Poppy (Altina Kusari) dhe një punëtor i palodhur teknik si Tim (Besfort Berberi).

Nëse në aktin e parë kur janë provat aktorët arrijnë të kapërcejnë telashet që kanë në “jetën e tyre private”, në të dytën kur jepet premiera e “Asgjë veshur” të gjitha problemet dalin në sipërfaqe duke shkaktuar një rrëmujë të pakapërcyeshme.

Xhelozia e Garry, problemet me alkoolin të Selsdon dhe “trekëndëshi i dashurisë” Lloyd-Poppy-Brooke bashkë me disa veprime në prapaskenë të cilat “keqkuptohen” rrezikojnë premierën e shfaqjes, por në të njëjtën kohë krijojnë skena të jashtëzakonshme humori.

“Zëra pas skene” erdhi nën regjinë e Ilir Bokshi dhe as.regjie Butrint Pasha. Skenografia e kësaj shfaqjeje është bërë nga Petrit Bakalli, kostumet nga Valmira Rrahmani, muzika nga Artan Kastrati, ndërsa përkthimin e tekstit e ka bërë Shkelzen Berisha.

Publiku gjakovar pranoi dhe mirëpriti komedinë duke i duartrokitur gjatë të gjithë aktorët në përfundim të shfaqjes./radiogjakova/