Mbahet panairi i gjedhit
Gjedhi i fermerit Luan Muzlijaj nga fshati Babaj Bokës të Gjakovës, është zgjedhur më i miri në panairin që mbajt në Korenicë. Për herë të parë organizatori i këtij manifestimi zgjedhja e gjedhit më të mirë është bërë duke marrë për bazë cilësinë e qumështit.
Për këtë Drejtoria e Bujqësisë si organizatore e këtij aktiviteti tradicional, kishte identifkuar 21 gjedhet qumështore që prodhojnë qumështin të klasës ekstra.
Parametrat përcaktues për cilësinë e qumeshtit ishin numri kolonive të bakterieve, qelizave somatike, yndyrës, proteinave, densitetit, pikës së ngrirjes, etj. Të gjitha këto janë analizuar në laboratorin e Agjencionit te Ushqimit dhe Veterines së Kosovës dhe vlerësuar nga ekspertët e fushës, të cilët vendosën për gjedhin e pronarit Luan Muzlijaj.
Drejtoria e Bujqësisë më këtë rast është kujdesur që të gjithë fermerët pjesëmarrës në këtë garë të cilësisë, t’i shperblejë me pajisje për mjeljen e gjedheve dhe ruajtjen dhe bartjen e qumështit.
Panairi i gjedhit ishte aktiviteti i fundit në kuadër të “Ditëve të Agrobiznesit”, i cili ka nisur ditën e enjte.
Në dy ditët e para të këtij aktiviteti, në Bibliotekën Publike “Ibrahim Rugova” janë mbajtur debate të cilat i janë kushtuar sektorëve të bletarisë dhe blegtorisë, për të cilat para bletarëve dhe blegtorëve kanë ligjëruar ekspertë të këtyre fushave nga Kosova e Shqipëria./radiogjakova/